Kur bëhet fjalë për shëndetin e zemrës, jo të gjithë djathrat janë të njëjtë. Kardiologu Dr. Tariqshah Syed thekson rëndësinë e sasisë dhe llojit të djathit që konsumojmë, duke paralajmëruar për efektet negative të yndyrnave të ngopura dhe kripës.
“Konsumi i moderuar i djathit zakonisht nuk ndikon shumë në kolesterolin LDL, por djathrat me përmbajtje të lartë yndyre mund ta rrisin atë ndjeshëm nëse konsumohen tepër”, shpjegon Dr. Syed për Parade.
Problemi kryesor, sipas tij, janë djathrat e fortë dhe të përpunuar si çedari dhe djathi parmixhano, si dhe maskarpone, i cili për një porcion përmban deri në 29 gramë yndyrë të ngopur dhe 44 gramë yndyrë gjithsej. Këto përbërës mund të rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe presion të lartë të gjakut.
Nga ana tjetër, djathrat me pak yndyrë, si mocarela, rikota dhe djathi i freskët, konsiderohen më të favorshme për zemrën. Për shembull, gjysmë filxhani rikota ka 10 gramë yndyrë të ngopur, ndërsa e njëjta sasi djathi i freskët përmban vetëm 3 gramë.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu të kombinojmë djathin me fruta ose drithëra të plota, për të kontrolluar porcionet dhe për të mbajtur një dietë të balancuar. Konsumi i moderuar dhe zgjedhja e kujdesshme e djathit mund ta mbajnë atë pjesë të dietës pa rrezik të madh për zemrën.