Kur mendonin se kishin gjetur qetësinë, banorët e fshatit Bishan janë bërë sërish pre e vjedhjeve. Viktima e fundit është Vezir Bulla, të cilit i janë vjedhur tre lopë nga kasollja e tij, rreth 500 metra larg banesës.
“Kanë kaluar rreth 20 ditë që më kanë vjedhur tre lopë dhe ende nuk është gjetur asnjë autor. Edhe pse policia ka shoqëruar disa persona, askush nuk është arrestuar,” thotë Bulla.
Ai tregon gjithashtu se pas këtij rasti, autorët kanë tentuar t’i vjedhin edhe pelën, por në pamundësi për ta marrë, ose e kanë vrarë, ose është goditur nga një makinë në autostradë.
“Kanë ardhur natën, kanë prerë portën e kasolles dhe më pas kanë marrë bagëtinë duke kaluar nga autostrada. Ishte mënyra ime për të jetuar dhe për të mbajtur familjen, por tani nuk më ka mbetur asgjë,” shton Bulla, duke i bërë thirrje prokurorisë dhe policisë që të mos i lënë hetimet “në sirtar”.
Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Bishani bie pre e vjedhjeve, të cilat janë përsëritur edhe ndër vite.
Edhe banorë të tjerë tregojnë se janë përballur me vjedhje të vazhdueshme, që nga pulat e deri tek bagëtitë e ndryshme.
“Më herët u arrestua një grup hajdutësh, por më pas u liruan nga gjykata,” thonë ata, duke shtuar se dikush nga fshati mund t’i ndihmojë autorët, por ekziston edhe mundësia që të jenë persona nga qytete të tjera.
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se për këto raste janë shoqëruar disa persona, por deri tani nuk është arritur të provohet përfshirja e tyre. Hetimet, sipas policisë, vijojnë.