Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, pas kritikave të hapura që Trump kishte shprehur më parë ndaj organizatës ndërkombëtare.
Guterres theksoi gjatë takimit rëndësinë thelbësore të SHBA-së për funksionimin e OKB-së dhe vlerësoi angazhimin e Presidentit për paqen. “Ne jemi tërësisht në dispozicion për të bashkëpunuar drejt një paqeje të drejtë,” deklaroi ai.
Nga ana e tij, Trump theksoi se delegacioni amerikan u prit me “respekt të madh” nga stafi i OKB-së dhe komentoi me sportivitet incidentin e shkallëve lëvizëse të prishura që kishte hasur më herët.
“Vendi ynë është 100% në krah të Kombeve të Bashkuara,” tha Trump. “Mendoj se potenciali i OKB-së është i jashtëzakonshëm… Ndonjëherë mund të mos jem dakord me të, por e mbështes plotësisht.”
Takimi konsiderohet një sinjal i qartë i angazhimit të SHBA-së për bashkëpunim me OKB-në, pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëparshme.