FLASH :

Polonia rihap kufirin me Bjellorusinë pas mbylljes dy-javore për shkak të ushtrimeve ushtarake ruse

Polonia do të rihapë kufirin me Bjellorusinë në mesnatë të enjtes, pas një mbylljeje gati dy-javore që u vendos më 12 shtator si reagim ndaj ushtrimeve të përbashkëta ushtarake ruso-bjelloruse “Zapad 2025”.

Kryeministri Donald Tusk tha se përfundimi i manovrave ushtarake ka reduktuar nivelin e kërcënimeve, edhe pse ato nuk janë eliminuar plotësisht. “Duke marrë parasysh interesat ekonomike të transportuesve dhe hekurudhave polake, arritëm në përfundimin se kjo masë i ka shërbyer qëllimit të saj”, u shpreh ai.

Mbyllja e kufirit pasoi ndërhyrjen e paprecedentë të dronëve rusë në hapësirën ajrore polake, çka ngriti alarmin tek aleatët e NATO-s për rrezikun e përhapjes së luftës nga Ukraina drejt vendeve të tjera të rajonit.

Sipas qeverisë polake, ministri i Brendshëm do të miratojë një rregullore të posaçme për rihapjen e kalimeve rrugore dhe hekurudhore.

Komisioni Evropian kishte paralajmëruar javën e kaluar për ndikimin ekonomik të mbylljes, e cila preku një korridor hekurudhor të rëndësishëm tregtar mes BE-së dhe Kinës, me një vlerë të mallrave prej rreth 25 miliardë eurosh në vit.

Polonia ka kufizuar ndjeshëm trafikun rrugor me Bjellorusinë që nga vera e vitit 2021, duke akuzuar regjimin e Minskut se përdor migrantët për presion politik. Si reagim, Varshava ka ngritur gardhe çeliku, ka dislokuar ushtrinë dhe ka krijuar një zonë tampon të ndaluar përgjatë kufirit.