Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sot lidhur me propagandën e qeverisë socialiste për “bumin turistik” dhe ndikimin e tij në ekonomi. Sipas saj, shifrat zyrtare të INSTAT-it janë të qarta: turizmi nuk pasqyrohet në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.
“A po ndikon turizmi në ekonominë e shqiptarëve dhe a reflektohet në xhepat e tyre? Absolutisht jo!” – u shpreh Tabaku, duke sjellë të dhëna konkrete mbi gjendjen e sektorëve kryesorë të ekonomisë.
Deputetja nënvizoi se bujqësia, shtylla e ekonomisë shqiptare, ka tetë vite me rënie të vazhdueshme. Vetëm vitin e fundit, 170 milionë euro produkte janë importuar nga jashtë, duke lënë pas dore fermerin shqiptar.
Po ashtu, industria dhe prodhimi janë në krizë. Sipas Tabakut, importi i makinerive dhe pajisjeve ka rënë me 120 milionë euro, duke dëshmuar mungesën e investimeve dhe modernizimit në sektorët prodhues.
Një tjetër goditje e fortë është edhe në sektorin fason, ku për tre vite radhazi shënohet rënie. “Ky sektor që punëson 175 mijë shqiptarë është sot në rrezik. Mijëra familje mund të humbin të ardhurat e tyre për shkak të një modeli ekonomik të gabuar,” paralajmëroi Tabaku.
Në përfundim, deputetja demokrate theksoi se i vetmi element i sigurt në modelin ekonomik të qeverisë socialiste është korrupsioni.
“Ky është realiteti i Shqipërisë socialiste: mungesë transparence, mungesë llogaridhënieje dhe një sistem ku paratë shpërndahen tek një pakicë, ndërsa shumica paguan taksa. Ky model duhet ndryshuar – dhe për këtë duhet të luftojmë të gjithë,” përfundoi Tabaku.