FLASH :

Ja momenti kur tre palestinezë ekzekutohen nga militantë në Gaza, nën akuzat për bashkëpunim me Izraelin

Në një ngjarje tronditëse që ka ngritur shqetësim të madh ndërkombëtar, militantë të armatosur dhe të maskuar të Hamasit kanë ekzekutuar publikisht tre palestinezë në një shesh të hapur në qytetin e Gazës, duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të Izraelit. Viktimat, të gjunjëzuar, me sytë e mbuluar dhe duart të lidhura pas shpine, u pushkatuan me armë automatike në pjesën e sipërme të trupit dhe në kokë, ndërsa një turmë e madhe qytetarësh brohoriste “Allahu Akbar” dhe filmonte ngjarjen makabre.

Pamjet janë publikuar në kanale të lidhura me Hamasin në rrjetin Telegram dhe kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Para ekzekutimit, një nga militantët iu drejtua turmës duke i quajtur viktimat “tradhtarë që bashkëpunuan me armikun dhe kontribuan në vrasjen e popullit të tyre”. Pas ekzekutimit, mbi trupat e pajetë u vendosën fletë kërcënuese në arabisht, me mesazhe të tilla si “Tradhtia nuk do të kalojë pa ndëshkim.

Një dënim i ashpër ju pret” dhe “Koha ka ardhur t’ju presim kokat”, duke paralajmëruar të gjithë ata që mund të dyshohen si bashkëpunëtorë të Izraelit. Hamas ka deklaruar se në këtë akt morën pjesë edhe dy grupe të tjera militante, Islamic Jihad dhe Brigadat e Mujahideen.

Ngjarja ndodh në një moment kur tensionet në rajon janë në kulm, me mbi 65 mijë palestinezë të vrarë që nga tetori 2023 sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ndërsa sulmi fillestar i Hamasit shkaktoi 1,200 të vdekur në Izrael dhe rrëmbimin e mbi 250 pengjeve.

Kombet e Bashkuara dhe organizata ndërkombëtare kanë ngritur akuza ndaj Izraelit për krime lufte dhe gjenocid në Gaza, ndërkohë që disa vende si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Kanadaja kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez vendim që Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka dënuar si “shpërblim për terrorizmin”. Ekzekutimi publik i këtyre tre palestinezëve shihet si një përpjekje nga ana e Hamasit për të forcuar kontrollin e brendshëm në një territor të shkatërruar nga lufta dhe për të dërguar një mesazh të qartë kundër çdo forme bashkëpunimi me armikun izraelit.