FLASH :

Bleu në market me kartëmonedhë 100-euroshe false, prangoset 36-vjeçari

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas posedonte dhe kryente blerje me kartëmonedha eurosh të falsifikuara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kartëmonedhat false”.

Në kuadër të operacionit, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi S. A., 36 vjeç.

Nga verifikimet dyshohet se ky shtetas kishte përdorur kartëmonedha 100 euroshe false për blerje në markete dhe dyqane.

Nga hetimet rezultoi se pak minuta para arrestimit, ai kishte blerë produkte në një market në lagjen nr. 12, me një kartëmonedhë tjetër 100 euroshe të dyshuar të falsifikuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i monedhave”.