Këngëtari britanik Morrissey ka anuluar dy koncerte në SHBA, pasi mori një kërcënim me vdekje para një performance në Ottawa, Kanada. Një 26-vjeçar nga Ottawa u arrestua dhe më pas u la i lirë me kusht, pasi akuzohet se kërcënoi me jetë artistin, emri i vërtetë i të cilit është Steven Morrissey, përpara një festivali muzikor javën e kaluar.
Edhe pse eventi në Ottawa u zhvillua sipas planit, Morrissey vendosi të anulonte shfaqjet e planifikuara në Massachusetts dhe Connecticut. “Në ditët e fundit ka pasur një kërcënim të besueshëm ndaj jetës së Morrissey-t. Për arsye sigurie për artistin dhe grupin, koncerti i së premtes është anuluar,” thuhej në një deklaratë të publikuar nga MGM Music Hall at Fenway në Boston.
Morrissey, ish-vokalist i grupit legjendar The Smiths, i cili prej vitit 1987 ka ndjekur karrierën solo, është i njohur për qëndrimet e tij të forta mbi çështje politike dhe mirëqenien e kafshëve. Në vitin 2006 ai refuzoi të performonte në Kanada në shenjë proteste ndaj gjuetisë tradicionale të fokave.







