Një ngjarje e pabesueshme është regjistruar në një nga sheshet më të frekuentuara të Barcelonës, ku një hajdut përdori këmbën për të vjedhur një çantë që ndodhej poshtë një tavoline, vetëm pak metra larg pronarit të saj.
Pamjet filmike tregojnë momentin kur hajduti, i veshur thjesht me bluzë, pantallona të shkurtra dhe atlete, afrohet i qetë pranë një tavoline në një tarracë bari, ku tre miq po qëndronin të ulur dhe po bisedonin. Ai përzihet me turistët e tjerë dhe me një lëvizje të saktë të këmbës së majtë, e tërheq çantën ngadalë përgjatë tokës, duke e larguar nga karrigia ku ishte lënë.
Pasi qëndron për disa sekonda pa lëvizur, për t’u siguruar që askush nuk e kishte vënë re, ai ulet, merr çantën dhe e fut në një çantë tjetër më të madhe që mbante me vete. Pastaj largohet qetësisht nga vendi i ngjarjes, duke folur në telefon – ndoshta për të kontaktuar një bashkëpunëtor, për të dorëzuar sendet e vjedhura dhe për të shmangur kontrollin e mundshëm nga policia.
Ngjarja ndodhi në Sheshin Sant Josep Oriol, pranë Bazilikës së famshme Santa Maria del Pi, në lagjen gotike të qytetit, një zonë e njohur për fluksin e madh të turistëve – por edhe për numrin alarmues të xhepave dhe grabitjeve.
Pamjet sugjerojnë se hajduti është mjaft i përvojshëm dhe ka përdorur këtë metodë edhe më parë, për shkak të qetësisë dhe vetëkontrollit të tij gjatë gjithë veprimit.
Ky incident është vetëm një nga dhjetëra të ngjashëm që ndodhin çdo ditë në kryeqytetin katalanas, i cili është cilësuar shpesh si një nga qytetet më të rrezikshme në Europë për turistët, kur bëhet fjalë për vjedhje dhe grabitje.
Autoritetet spanjolle paralajmërojnë turistët që të kenë kujdes maksimal me sendet personale, të shmangin vendet e izoluara, dhe të mos i lënë çantat në dysheme apo në karrige, pasi kriminelët përdorin teknika gjithnjë e më kreative për të kryer vjedhje pa lënë gjurmë.
Disa turistë kanë filluar të lidhin çantat pas këmbës, ndërsa të tjerë i lënë sendet me vlerë në kasafortën e hotelit. Po ashtu, rekomandohet të shmangen orët e pikut në metro, ku operojnë shumica e xhepistëve.
Deri më tani, nuk raportohet për ndonjë arrestim në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa identiteti dhe kombësia e viktimave nuk është bërë e ditur.
Barcelona vazhdon të jetë një qytet i dashur për turistët, por gjithashtu një parajsë për hajdutët, ndaj autoritetet apelojnë për më shumë vigjilencë dhe masa sigurie.







