Tregu shqiptar i pijeve freskuese po përballet me një transformim të thellë, teksa importet kanë fituar epërsi të qartë ndaj prodhimit vendas. Sipas një artikulli të publikuar nga Monitor.al, për të dytin vit radhazi, pijet e importuara zënë 61% të tregut, ndërsa prodhimi vendas është tkurrur në vetëm 39%. Kjo prirje është ndikuar nga faktorë si rënia e konsumit për shkak të emigracionit, si dhe vështirësitë që prodhuesit vendas hasin për të mbuluar kostot e larta të prodhimit.
Pas pandemisë së Covid-19 tregu vendas i pijeve freskuese po përjeton një transformim të shpejtë dhe shqetësues, ku produktet shqiptare po zëvendësohen nga marka të huaja që shiten me çmime më të lira, kryesisht nga Kosova dhe Polonia.
Prodhuesit shqiptarë, përfshirë edhe përfaqësues të markave ndërkombëtare si “Pepsi” dhe “Coca-Cola”, raportojnë rritje të ndjeshme të kostove për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe rritjes së pagave nga 30% deri në 45% pas vitit 2022. Për më tepër, trajtimi i pabarabartë fiskal mes produkteve të importuara dhe atyre vendase, ku pijet e gatshme importohen me 0% doganë ndërsa lëndët e para taksohen deri në 15%, po dëmton seriozisht konkurrueshmërinë e industrisë vendase.