Policia Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë ka goditur dy raste të tjera të tentativës për futje të mallrave kontrabandë në territorin shqiptar. Si rezultat i kontrolleve u arrestuan dy shtetas që po përpiqeshin të fusnin mallra të ndryshme nga Greqia pa i deklaruar.
Të arrestuarit janë:
O. H., 48 vjeç, banues në Korçë, drejtues i një autobusi;
A. P., 54 vjeç, banues në Elbasan, drejtues i një automjeti.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, në bagazhin e mjetit që drejtonin këta shtetas, u gjetën veshje të ndryshme, produkte ushqimore dhe konfeksione, të dyshuara si të kontrabanduara nga Greqia.
Mallrat e paligjshme u sekuestruan si prova materiale, ndërsa ndaj të dy shtetasve është ngritur procedim penal për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Policia Kufitare njofton se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë për të parandaluar dhe goditur çdo tentativë për futje të paligjshme të mallrave në vend.