Drejtori i shkollës së John Lennon-it e futi bankën e tij në magazinë pasi nuk donte “asnjë gjurmë të tij” në shkollë, ngaqë ishte “acarues” dhe “prepotent”, tha një mësues.
Tom Barry, mësues i lëndës së dizajnit dhe teknologjisë në shkollën The Calderstone, dikur e njohur si Quarry Bank High School, tha se fama e Lennon-it “nuk u njoh kurrë”, madje as gjatë Beatlemania-s.
“Kur John-i u largua, ishte aq acarues, prepotent dhe nxënës i dobët, saqë stafi i shkollës nuk deshi të pranonte që ai kishte ndjekur atë shkollë dhe hoqi çdo gjurmë të tij,” tha ai.
“Ai nuk përmendej kurrë, nuk u njoh kurrë as gjatë Beatlemania-s. Mesa duket, fansat vinin te portat e shkollës dhe thjesht i kthenin mbrapsht, sepse shkolla nuk donte të kishte asnjë lidhje me të.”
Këngëtari ishte nxënës në atë shkollë mes viteve 1952 dhe 1957, por e la shkollën për të ndjekur famën globale me The Beatles. Sjellja e tij ishte e dokumentuar mirë: fletët e ndëshkimeve të nxjerra në ankand në vitin 2013 tregonin anën e tij “tejet të pacipë”.
Arsyet për ndëshkim përfshinin “sherr në klasë”, “sabotim”, “mungesë totale interesi” dhe “shtyrje”. Në dy raste të veçanta, në vitin 1955 dhe 1956, ai mori tre ndëshkime brenda një dite.
Banka e vjetër e John-it u zbulua së fundmi e fshehur në papafingon e shkollës, aty ku drejtori Bill Pobjoy kishte urdhëruar kujdestarin ta kyçte rreth viteve 1963-1964, kur Lennon fitoi famë me The Beatles.
“Ajo ka qenë e mbyllur për vite të tëra dhe çelësi kishte humbur, kështu që na u desh të hapnim me forcë derën për të hyrë,” tha Barry. “Tani kemi gjetur një dokument nga sekretarja e drejtorit, ku shënohet detyra për kujdestarin, kështu që kemi prova të shkruara.”
Banka është e mbyllur dhe mund të përmbajë gjëra të gdhendura nga Lennon, megjithëse asgjë nuk është konfirmuar. Shkolla tani ofron vizita për fansat e Beatles-ave, duke treguar vendin ku legjenda e muzikës interpretoi me The Quarrymen dhe murin që ai kapërcente për të kaluar te shkolla e vajzave ngjitur.
Banka dhe objekte të tjera nga koha e Lennon-it në shkollë tani janë të ekspozuara në Muzeun Beatles të Liverpool-it.