FLASH :

Zbulohet fosili i delfinit 12-milionë vjeçarë

Paleontologët në Lima të Perusë kanë prezantuar një fosil të rrallë të një delfini prehistorik, të quajtur Lomacetus, i cili daton rreth 12 milionë vite më parë. Skeleti, me gjatësi 3.5 metra, u zbulua në korrik në shkretëtirën Okukaxe, rreth 350 kilometra në jug të kryeqytetit të Perusë.

“Është një specie delfini që jetoi rreth 12 milionë vite më parë,” – tha paleontologu Mario Gamara gjatë një konference për shtyp në Institutin e Gjeologjisë, Minierave dhe Metalurgjisë. Ai theksoi se gjetja është pothuajse e plotë, gjë që do të lejojë studiuesit të analizojnë më mirë mënyrën e lëvizjes, stilin e notit, ushqimin dhe jetëgjatësinë e këtij gjitari detar.

Shkretëtira e Okukaxes është një zonë e njohur për paleontologët, pasi prej dekadash aty janë zbuluar fosile të shumta të periudhës së Mioçenit – epokë gjeologjike që nisi 23 milionë vite më parë dhe përfundoi rreth 5 milionë vite më parë. Në këtë territor janë gjetur më parë mbetje të balenave, delfinëve, peshkaqenëve dhe specieve të tjera detare.

Ky zbulim i ri pritet të ndihmojë shkencën të kuptojë më shumë mbi evolucionin e delfinëve dhe të faunës detare të asaj periudhe, duke hedhur dritë mbi jetën e oqeaneve miliona vite më parë. Fosili konsiderohet një nga gjetjet më të rëndësishme të viteve të fundit në Amerikën e Jugut.