Një anije tregtare që u zhduk në thellësitë e Liqenit Michigan afro 140 vite më parë, më në fund është zbuluar nga arkeologët amerikanë.
Anija prej druri F.J. King, e ndërtuar në vitin 1867 dhe e përdorur për transport mallrash si grurë, hekur dhe dru, u mbyt në shtator të vitit 1886 gjatë një stuhie të fortë. Për dekada me radhë, vendndodhja e saj mbeti një mister, duke u kthyer në një legjendë në mesin e gjuetarëve të anijeve të mbytura në rajonin e Uiskonsinit.
Pas më shumë se 50 vitesh kërkime të pasuksesshme, ajo u gjet këtë verë nga një ekip studiuesish të Shoqatës së Arkeologjisë Nënujore të Uiskonsinit, në bashkëpunim me Shoqërinë Historike të Uiskonsinit. Anija ndodhej vetëm gjysmë milje larg vendit që kishte përmendur një rojtar fari në një artikull gazete të vitit 1886.
“E kishim humbur shpresën për ta gjetur, por pas një kalimi të dytë me sonar, pamë strukturën e saj dhe menjëherë e kuptuam se ishte ajo,” tha Brendon Baillod, historian dhe drejtues i projektit.
Anija është në gjendje të habitshme – trupi i saj është pothuajse i paprekur edhe pas 139 vitesh nën ujë. Ekipi përdori drone të telekomanduar për të konfirmuar gjetjen në një thellësi prej rreth 40 metrash.
Sipas Baillod, Liqenet e Mëdha të Amerikës janë ndër vendet me më shumë anije të mbytura në botë, me rreth 6,000 anije të humbura në to, prej të cilave mbi 200 vetëm në Liqenin Michigan presin të zbulohen. Teknologjia e re dhe pastërtia më e madhe e ujërave (për shkak të molusqeve invazive quagga) kanë bërë që këto kërkime të bëhen më të lehta dhe më të suksesshme.
Zbulimi i F.J. King është cilësuar si një nga më të rëndësishmit vitet e fundit dhe një nxitje për brezat e rinj që të përfshihen në eksplorimin arkeologjik nënujor.

