Një ngjarje e rëndë është zbuluar në qytetin e Përmetit, ku një efektiv i policisë, shtetasi A. A., 56 vjeç, dyshohet se ka pasur një marrëdhënie intime me një vajzë 16-vjeçare, me inicialet S. K., nga Këlcyra.
Indicia për këtë rast u bë publike fillimisht përmes një postimi në rrjetet sociale, duke alarmuar opinionin publik dhe strukturat ligjzbatuese. Menjëherë pas publikimit, Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër nisi hetimet në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), për shkak të përfshirjes së një punonjësi policie.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se rasti është zbuluar përmes disa videove me përmbajtje intime, që ishin shpërndarë në mënyrë virtuale dhe ishin në posedim të disa të rinjve, shokë të përbashkët të vajzës. Dyshohet se këta persona kanë tentuar ta shantazhojnë efektivin e policisë, duke i kërkuar para në këmbim të mospublikimit të materialeve.
Deri më tani, janë shoqëruar 7 persona të përfshirë në këtë rast, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të plotë ngjarjen, rolin e secilit dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Ndërkohë, vajza e mitur është marrë në mbrojtje dhe pritet që të merret në pyetje në prani të psikologut dhe përfaqësuesve ligjorë.