Projektligji i fundit për “Barazinë Gjinore”, që tashmë është depozituar në parlament, ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Drafti i përfunduar sjell një ndryshim të dukshëm nga versioni fillestar, duke zgjeruar konceptin e gjinisë si një nocion “gjithëpërfshirës”. Kjo nënkupton njohjen ligjore të identiteteve gjinore përtej ndarjes tradicionale burrë-grua dhe të drejtën e individëve për të deklaruar hapur shprehjen e tyre gjinore. Ky formulim i ri është parë si një hap drejt përputhjes me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit, por në të njëjtën kohë ka ndezur polemika të forta.
Ndër figurat publike që janë shprehur hapur kundër, është edhe prezantuesja Albana Osmani. Në një postim të gjatë, ajo ka theksuar se projektligji nuk duhet të kalojë, pasi sipas saj përfaqëson “deformim të vlerave familjare dhe të natyrës njerëzore”.
Ajo ka shtuar se roli i prindërve si burim i jetës dhe themel i familjes po vihet në pikëpyetje nga “axhenda të imponuara”, dhe ka ngritur pyetjen nëse qytetarët janë pyetur apo konsultuar për një ndryshim kaq të madh ligjor.
Në përfundim të reagimit, Osmani deklaroi se personalisht nuk do ta votonte kurrë një projektligj të tillë. Sipas saj, ky hap nuk përbën modernizim, por rrezikon të ardhmen e brezave të rinj. Ajo e lidh këtë zhvillim edhe me figurat historike që kanë mbrojtur identitetin kombëtar, duke paralajmëruar se shoqëria shqiptare po vihet përballë një prove të vështirë.