Kapitulli 27 ‘Mjedisi’ që u hap në procesin e negociatave, mbetet sfida kryesore për qeverinë. Për këtë arsye menaxhimi i mbetjeve do të marrë një tjetër drejtim si në strukturë ashtu edhe në trajtimin e tyre.
Me projektligjin e fundit të miratuar nga qeveria që pritet të nisë shqyrtimin edhe në Kuvend, synohet përafrim me direktivat e BE. Konkretisht piramida e menaxhimit të mbetjeve do të nisë nga parandalimi, ripërdorimi, riciklimi, rikuperimi, trajtimi përfundimtar.
Sipas projektligjit të ri pastrimi i territorit nuk do të ketë si prioritet inceneratorët por riciklimin e tyre, me qëllim përfitimin edhe prej mbetjeve, për të arritur ekonominë qarkulluese.
Kompetencat kryesore do ti ketë Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve AKEM, e cila, pasi ligji të hyjë në fuqi do të kthehet në një shoqëri aksionere dhe pritet të marrë emrin Operatori Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.
Bizneset, do të duhet të realizojnë menaxhimin e mbetjeve të tyre, pra do të paguajnë një subjekt privat apo në landfille sipas tarifave që cakton këshilli i Ministrave për trajtimin e mbetjeve që ata prodhojnë.
“Kostot e menaxhimit të integruar të mbetjeve, duke përfshirë kostot e infrastrukturës dhe operimit të saj, mbulohen nga krijuesi ose nga zotëruesi i mbetjeve, në përputhje me parimin “Ndotësi paguan”, thuhet në pikën 1 të nenit 27.
Bashkitë do të kenë si detyrë, menaxhimin e integruar të mbetjeve bashkiake dhe mbetjeve të tjera, dhe diferencimin e tyre.
“Bashkitë janë përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e ndarjes së mbetjeve në burim dhe grumbullimin e diferencuar të tyre si pjesë e sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, në territorin nën juridiksionin e tyre”, thuhet në pikën 1 të nenit 24 të këtij projektligji.
Ndërsa AKEM ka përgjegjësi për infrastrukturën fundore të trajtimit të mbetjeve, që ai ka në administrim.
AKEM zhvillon, koordinon dhe administron infrastrukturën e rrjetit kombëtar të impianteve të trajtimit (rikuperimit dhe asgjësimit) të mbetjeve gjatë fazave të ndërtimit, operimit dhe mbylljes të tyre. Monitoron zbatimin e planeve e të programeve për menaxhimin e integruar të mbetjeve në nivel qendror dhe vendor”, thuhet në projektligj.
Ndërsa për inceneratorët, që duket se e humbën rëndësinë e tyre ende pa ngritur plotësisht, në projektligjin e ri përmenden vetëm në nenin 37 të projektligjit, ku saktësohet se në rast të vënies në funksion të impianteve të incinerimit, në to nuk pranohen mbetjet që janë grumbulluar në mënyrë të diferencuar për qëllime të përgatitjes për ripërdorim dhe riciklim, me përjashtim të mbetjeve që krijohen nga operacionet e mëtejshme të trajtimit të mbetjeve të grumbulluara në mënyrë të diferencuar, për të cilat operacioni i incenerimit përbën rezultatin më të mirë mjedisor.
Ndërsa mënyrën se si do të funksionojnë këto impiante, procedurat e dorëzimit të mbetjeve, kushtet e operimit, monitorimit dhe të dhënies së lejeve mjedisore do të caktohen nga Këshilli i Ministrave.
Me këtë nismë të re ligjore, ashpërsohen gjobat, duke u bërë deri në 7 fish më të larta se aktualisht. Gjobat thuhet në nenin 77 do të nisin nga 1 milionë lekë dhe maksimumi do të jetë 20 milionë lekë, në varësi të shkeljes.
Ndëshkimi më i madh prej 20 milionë lekë është parashikuar për ata që importojnë apo tranzitojnë mbetje të rrezikshme ose jo. Gjoba për këtë shkelje është 7.6 herë më e lartë se aktualisht, që është 2.6 milionë lekë.
10 milionë deri në 20 milionë lekë do të gjobiten edhe ata që eksportojnë mbetje jashtë vendit pa autorizme dhe lejet përkatëse. Ky ashpërsim vjen edhe për shkak të ngjarjes së gushtit 2024 ku ngarkesa me mbetje të dyshuara të rrezikshme ishte nisur drejt Tailandës pa lejet përkatëse, dhe aktualisht është në hetim nga drejtësia.