FLASH :

Mashtruesi i ‘Tinder Swindler’, Simon Leviev arrestohet në Gjeorgji

Simon Leviev, i njohur botërisht si “Mashtruesi i Tinder-it”, është ndaluar nga autoritetet gjeorgjiane në aeroportin e Batumit të dielën në mëngjes. 35-vjeçari, i lindur në Bnei Brak me emrin Shimon Yehuda Hayut, u shoqërua menjëherë nga policia, ndërsa ende nuk janë dhënë shpjegime të qarta mbi arsyen e arrestimit.

Avokati i tij deklaroi për mediat izraelite se edhe ekipi ligjor nuk ka informacion konkret:

“Fola me të këtë mëngjes pas ndalimit, por ende nuk e kuptojmë arsyen. Deri tani ai ka udhëtuar lirisht nëpër botë.”

Kush është “Mashtruesi i Tinder-it”?

Leviev u bë i famshëm pas dokumentarit të Netflix, ku u zbulua skema e tij mashtruese. Ai u shtirej si trashëgimtar i perandorisë së diamanteve të familjes Leviev dhe me një stil jete luksoz – avionë privatë, makina të shtrenjta dhe hotele 5-yje – fitonte besimin e grave që njihte nëpërmjet aplikacionit Tinder.

Pasi krijonte një imazh të besueshëm, ai u kërkonte viktimave shuma të mëdha parash, shpesh me pretendimin se ndodhej në rrezik dhe kishte nevojë për ndihmë urgjente financiare.

Paditë ndaj tij

Rasti i fundit kundër tij u ngrit në nëntor nga Iren Tranov, e cila pretendon se i ka dhënë hua 144,000 shekel (rreth 36,000 euro) që nuk i janë kthyer kurrë. Në total, padi arrin vlerën e 414,000 shekel (afro 100,000 euro). Sipas saj, Leviev i premtoi se do t’ia kthente paratë, por premtimi rezultoi mashtrim.

Më herët, në mars 2024, një tjetër kallëzim penal u bë nga Ephraim dhe Ruthy Leviev Yelizarov, vajza e biznesmenit të njohur të diamanteve, Lev Leviev. Ata e akuzuan Simonin se ka dëmtuar rëndë reputacionin e familjes duke u paraqitur si pjesëtar i saj.

Një proces i pazakontë

Në seancat gjyqësore të mëparshme, Leviev ka zgjedhur shpesh të përfaqësojë vetveten, duke marrë në pyetje dëshmitarët pa avokat mbrojtës. Kjo sjellje ka tërhequr vëmendje, duke e bërë edhe më kontrovers profilin e tij tashmë të diskutuar.