FLASH :

Spanja paralajmëron bojkot të Eurovizion: Izraeli të mos marrë pjesë në festival

Spanja paralajmëron bojkot të festivalit të Eurovizion nëse shteti i Izraelit nuk tërhiqet nga gara. Spanja është shteti i 5-të, i cili kërcënon për tërheqje nga pjesëmarrja pas Holandës, Irlandës, Sllovenisë dhe Islandës.

Vendimi në Spanjë u mor pas propozimit të presidentit të medias spanjolle, Jose Pablo Lopez, propozim që mori 10 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Në një deklaratë pas votimit në Spanjë, drejtori i konkursit Martin Green tha se i kuptonte “shqetësimet dhe pikëpamjet e thella rreth konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme” dhe se konsultimet me anëtarët janë duke vazhduar “për të mbledhur pikëpamje se si e menaxhojmë pjesëmarrjen dhe tensionet gjeopolitike”.

Bojkoti është edhe vendimi i parë i marrë nga “Pesë të Mëdhenjtë” e Eurovisionit, një grup që përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë dhe Francën.

Këto vende japin kontributet më të mëdha financiare për Eurovisionin, me pjesëmarrësit që kualifikohen automatikisht për raundin final, dhe tërheqja e tyre do të rriste presionin mbi Unionin Evropian të Transmetimeve (EBU), i cili organizon eventin.

Grupi i Referencës së Konkursit të Këngës në Eurovision, organi drejtues i konkursit, tha se një vendim mbi pjesëmarrjen e Izraelit është në pritje dhe se ka “marrë parasysh shqetësimet e shprehura nga disa transmetues”.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, më parë ka bërë thirrje që Izraeli të përjashtohet nga gara, duke theksuar se si Rusia u përjashtua pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022 .

Edicionet e fundit të konkursit, i cili gjithmonë ka shprehur neutralitet politik, kanë përfshirë demonstrata kundër veprimeve të vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Gaza, të nisura në përgjigje të sulmit nga militantët e Hamasit më 7 tetor 2023, i cili la rreth 1,200 të vdekur.

Konkurrentja izraelite Yuval Raphael, një e mbijetuar e sulmit të Hamasit, përfundoi e dyta në konkursin e këtij viti , të mbajtur në Bazel të Zvicrës, në maj, por pati protesta para dhe gjatë performancës së saj. Këngëtarja austriake JJ, e cila fitoi, ka bërë gjithashtu thirrje për përjashtimin e Izraelit në vitin 2026.