FLASH :

Suedi, një sulm kibernetik zbulon të dhënat e 1.5 milionë personave

Të dhënat personale të rreth 1,5 milionë personave janë zbuluar në internet, pas një sulmi kibernetik ndaj një ofruesi suedez të sistemeve të IT-së, njoftoi sot zyra e prokurorit suedez.

Numri i personave të prekur përfaqëson gati 15% të popullsisë së Suedisë prej 10,6 milionë banorësh. Më së shumti u prekën autoritetet lokale. Sulmi ndaj ofruesit të sistemeve të IT-së ”Miljodata” ndodhi gjatë fundjavës së 23-24 gushtit.

“Të dhënat e vjedhura në sulmin ndaj ofruesit të sistemeve të IT-së tani janë zbuluar. Kjo ka të bëjë me të dhëna që i përkasin më shumë se 1,5 milionë individëve privatë”, tha prokurorja Sandra Helgadottir, duke shtuar se një hetim për shkeljen e të dhënave ishte duke vazhduar.

Një grup që e quan veten ”Datacarry” ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe hetimi është përqendruar në identifikimin e personit ose personave përgjegjës.

“Aktualisht nuk ka prova që sugjerojnë përfshirjen e një shteti të huaj”, tha ajo.

Sipas mediave suedeze, hakerat kërkuan 1,5 bitcoin (rreth 150 000 euro) ndërsa kërcënuan se do të publikonin të dhënat.

”Miljodata” njoftoi gjatë fundjavës se të dhënat ishin publikuar në darkweb.

Të dhënat e rrjedhura përfshijnë emra, adresa dhe detaje kontakti. Autoriteti Suedez i Privatësisë tha në fund të gushtit se kishte marrë 250 raporte nga palët e prekura. Sipas autoritetit, të paktën 164 bashki dhe katër autoritete rajonale u prekën nga sulmi. Qyteti i Goteborgut, në veçanti, u prek nga sulmi kibernetik, sipas transmetuesit publik SVT.

Kompanitë private kanë pasur gjithashtu të dhëna të kompromentuara duke përfshirë prodhuesin e kamionëve ”Volvo”, linjën ajrore SAS dhe prodhuesin e motorëve të avionëve ”GKN Aerospace”.