FLASH :

Qeveria britanike kritikon fjalimin e Elon Musk, në protestën e të djathtëve kundër emigracionit: Deklaratat e tij të rrezikshme

Qeveria britanike i ka kritikuar ashpër deklaratat e miliarderit nga SHBA-ja dhe shefit të Teslas Elon Musk gjatë demonstratës së populistëve të djathtë në fundjavë në Londër kundër migracionit ilegal.

Kryeministri Keir Starmer i quajti deklaratat e Elon Musk-ut si të rrezikshme, por megjithatë ai refuzoi sanksionet ndaj miliarderit. Starmer shkruajti në platformën X: “Britania e Madhe është një komb, që krenohet për tolerancën, diversitetin dhe respektin.” Protesta paqësore është “një bërthamë e vlerave të vendit tonë”.

“Gjuhë e rrezikshme dhe nxitëse”

Populli britanik nuk dëshiron këtë “gjuhë të rrezikshme dhe nxitëse”, tha një zëdhënës i kryeministrit Starmer. Mbretëria e Bashkuar është “një vend i drejtë, tolerant dhe me dinjitet”, tha zëdhënësi. Me të tilla deklarime “provokohet dhunë dhe intimidim në rrugët tona”.

Edhe politikanë të tjerë britanikë i dënuan deklaratat e miliarderit. Ministri i Ekonomisë Peter Kyle tha, se deklaratat e Elon Musk-utishin “diçka e pakuptueshme” dhe “absolutisht të papërshtatshme”. Sidoqoftë manifestimi i protestës tregoi, se e drejta dhe liria e shprehjes së mendimit janë në nivelin e duhur.

Kryetari i liberal-demokratëve, Ed Davey, e akuzoi Musk-un, se po ndërhyn në demokracinë britanike. Gjithashtu, sipas tij, Musk është përpjekur “të nxisë dhunë në rrugët tona”. Ai tha, se Starmer nuk duhet t’i japë më porosi qeveritare koncernit Tesla.

Musk: “Dhuna po vjen tek juve. Mbrohuni ose do të vdisni.”

Gjatë manifestimit masiv të skenës së djathtë me mbi 110.000 pjesëmarrës në qendër të Londrës Musk u lidh përmes video-konferencës. Në fjalën e tij ai tha, se opinioni britanik ka “frikë të ushtrojë lirinë e mendimit”. Media publike, BBC, sipas Musk, është “bashkëfajtore në shkatërrimin e Britanisë së Madhe”.

Musk iu referua edhe temave të emigracionit dhe Brexitit. Duke iu drejtuar demonstruesve të së djathtës ai tha: “Nëse ju zgjidhni dhunën ose jo, dhuna vjen tek juve. Ose mbrohuni, ose do të vdisni (…).” Musk kërkoi shpërbërjen e parlamentit në Londër dhe zëvendësimin e qeverisë laburiste të Stramerit.

Musk edhe më parë e ka sulmuar verbalisht qeverinë dhe opinionin publik britanik dhe ngjashëm si qeveria Trump ai kritikon, se në Mbretërinë e Bashkuar është rrezikuar në mënyrë akute liria e shprehjes së mendimit. Musk mban lidhje me ekstremistin e djathtë britanik, Tommy Robinson dhe gjatë fjalimit përmes videokonferencës kjo lidhje ndërmjet tyre doli sërish në  pah.

Tema emigracionit ilegal në Britaninë e Madhe ka ndezur debatet, veçanërisht sa ka të bëjë me mbërritjen e migrantëve me barka të vogla përmes Kanalit të Lamanshit. Që nga fillimi i vitit përmes kësaj rruge kanë mbërritur në Britaninë e Madhe mbi 30.000 vetë. Strehimi i azilkërkuesve nëpër hotele shkaktoi protesta gjatë verës.