Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për diferencën e madhe mes pagave në administratën shtetërore dhe sektorin privat, duke e konsideruar këtë si një pasojë të politikave të gabuara ekonomike të qeverisë.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 paga mesatare në administratë arriti në 92 mijë lekë, ndërsa në sektorin privat mbeti në 71 mijë lekë. Kjo ka sjellë një hendek prej 20,800 lekësh në muaj, që përkthehet në një diferencë 22.7% më shumë për administratën publike.
“Ky nuk është rezultat i zhvillimit ekonomik, por i taksave të rritura dhe barrës që u është hequr qytetarëve nga xhepat e tyre, bizneseve të vogla dhe shportës së çdo familjeje,” theksoi Tabaku.
Ajo nënvizoi se një qeveri që do të mendonte realisht për qytetarët do të lehtësonte barrën fiskale, do të krijonte barazi loje dhe do të ndihmonte ekonominë reale. “Rritja e pagave nuk duhet të jetë vetëm për vagonët e administratës, por për të gjithë sektorët e ekonomisë. Edhe mësuesit e shkollave private duhej të gëzonin të njëjtin trajtim si ata në sektorin publik,” shtoi Tabaku.
Tabaku e ka konsideruar këtë diferencë si një tjetër tregues të padrejtësisë ekonomike, që thellon pabarazitë mes qytetarëve dhe dëmton zhvillimin e shëndetshëm të tregut.