Një 55-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Portin e Durrësit pasi tentoi të fuste në territorin shqiptar 1000 fishekë arme gjahu dhe rreth 20 mijë euro, të padeklaruara në doganë.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve të shtuara në hyrje të portit, si pjesë e operacioneve për parandalimin e paligjshmërive, Policia Kufitare, në bashkëpunim me strukturat doganore, ndaloi një kamion të drejtuar nga shtetasi Kujtim Aliaj, 55 vjeç, banues në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Tentoi të fuste në territorin e RSH-së, 1000 fishekë arme gjahu dhe rreth 20 000 euro, pa i deklaruar, kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe vihet në pranga 55-vjeçari.
Sekuestrohen fishekët, shuma e eurove dhe kamioni ku ato ishin fshehur.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, si rezultat i kontrolleve të shtuara në hyrje/dalje, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, evidentuan dhe goditën një rast të tentativës për trafikim të municionit luftarak dhe një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi K. A., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Gjatë kontrollit në kamionin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në kabinë, 1000 fishekë gjahu, armë gjahu dhe rreth 20 000 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me kamionin, pasaportën dhe celularin e 55-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.