FLASH :

Trump thotë se George Sorosi duhet të jetë në burg për mbështetjen e kauzave progresive: ‘Është njeri i keq’

Presidenti Donald Trump tha se miliarderi George Soros “duhet të jetë në burg” ndërsa vazhdoi të kërcënojë filantropin 95-vjeçar dhe donatorin e madh të demokratëve.

Presidenti e ka akuzuar të mbijetuarin e Holokaustit të lindur në Hungari dhe themeluesin e fondacionit jofitimprurës Open Society Foundation se financon protestues dhe demonstrata kundër administratës së tij.

Ne do të hetojmë Sorosin, sepse mendoj se ka një çështje RICO kundër tij dhe njerëzve të tjerë,” tha Trump të premten në Fox & Friends, duke iu referuar kërkesës së tij që Sorosi të ndiqet penalisht për veprimtari kriminale.

“Sepse kjo është më shumë se thjesht protesta,” tha ai. “Ky është agjitacion i vërtetë.”

Në një telefonatë të shkurtër të shtunën me NBC News, presidenti mbrojti sulmin e tij ndaj Sorosit dhe sugjeroi se ai duhet të burgoset.

“Është njeri i keq,” i tha Trump medias me një koment të shkurtër.

Sorosi, me komitetet e tij të veçanta për veprim politik, është gjithashtu një nga shpenzuesit më të mëdhenj për fushatat e kandidatëve dhe kauzave demokrate, sipas të dhënave të Komisionit Federal të Zgjedhjeve.

Në përgjigje të kërcënimeve të fundit të Trump-it, Open Society Foundation iu referua një deklarate të mëparshme, duke i quajtur akuzat “të turpshme dhe të pavërteta.”

“Open Society Foundations, të themeluara nga George Sorosi dhe të kryesuara nga Alex Sorosi, nuk mbështesin apo financojnë protesta të dhunshme,” tha organizata.

“Pretendimet për të kundërtën janë të pavërteta dhe kërcënimet ndaj themeluesit dhe kryetarit tonë janë të turpshme. Misioni ynë është të avancojmë të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe parimet demokratike në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën,” vazhdonte deklarata. “Ne mbrojmë liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta e SHBA-së, përfshirë të drejtën e fjalës së lirë dhe të drejtën për protestë paqësore që janë tipare të çdo demokracie të gjallë.”

Muajin e shkuar, grupi tha se “ne nuk paguajmë njerëz për të protestuar dhe as nuk i trajnojmë apo koordinojmë protestuesit drejtpërdrejt.”

“Të gjithë përfituesit e fondeve të Open Society janë të detyruar të respektojnë ligjin dhe ne presim prej tyre të mbrojnë përkushtimin tonë të përbashkët për të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe jo dhunën,” tha deklarata. ” Open Society Foundation kundërshton të gjitha format e dhunës, përfshirë protestat e dhunshme.”

Pas vrasjes së Charlie Kirk-ut, Trump u shfaq në një video nga Zyra Ovale dhe premtoi se do të shënjestrojë “secilin prej atyre që kontribuoi në këtë mizori … përfshirë organizatat që e financuan dhe e mbështetën atë.”

Trump më parë kishte thënë se donatori liberal duhet të përballet me akuza sipas ligjit RICO, që ka për mision të godasë krimin e organizuar. Vetë Trump është përballur me akuza të ngjashme me RICO në Georgia, ku prokurorët pretendojnë se presidenti udhëhoqi një “sipërmarrje kriminale” për të përmbysur në mënyrë të paligjshme rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në shtet.

Fjala e fundit e presidentit për Sorosin vjen ndërkohë që Departamenti i Drejtësisë po vazhdon hetimet ndaj shumë figurave demokrate dhe të tjerëve që kanë kundërshtuar politikat e tij.

Muajin e kaluar, FBI-ja kontrolloi shtëpinë e John Bolton-it, ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare i kthyer në kritik të Trump-it, me dyshimin për prova që zyrtari veteran i politikës së jashtme të Partisë Republikane kishte shkelur ligjet mbi trajtimin e informacionit të klasifikuar, akuza me të cilat ishte përballur edhe vetë Trump pas largimit nga detyra.