FLASH :

Rusia kërcenon NATO-n: Luftë Botërore nëse preken dronët mbi Ukrainë

Një paralajmërim i fortë nga Moska ka ngritur alarm në kancelaritë perëndimore, pasi ish-presidenti rus Dmitry Medvedev deklaroi se rrëzimi i dronëve rusë nga NATO mbi territorin e Ukrainës mund të çojë në luftë të hapur mes Rusisë dhe aleancës ushtarake.

Zyrtari i lartë rus dhe aleat i ngushtë i Putinit, aktualisht zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, theksoi se çdo përpjekje për të krijuar një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, apo për të neutralizuar dronët rusë nga vendet anëtare të NATO-s, “do të thotë vetëm një gjë – luftë midis NATO-s dhe Rusisë”.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Danimarkën, kanë rritur ndjeshëm angazhimin për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Polonisë, si pjesë e misionit “Eastern Sentry”, pas një serie incursionesh të dronëve rusë që kanë depërtuar në territorin polak.

Polonia, e cila ka akuzuar Rusinë për një provokim të qëllimshëm, ka mobilizuar mijëra trupa dhe ka mbyllur përkohësisht kufirin me Bjellorusinë, për shkak të stërvitjes ushtarake të përbashkët ruso-bjelloruse “Zapad 2025”, që po zhvillohet në afërsi të kufijve të NATO-s.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se inkursionet ruse në territorin e NATO-s përbëjnë “një zgjerim të qartë të luftës” dhe ka kërkuar një reagim më të fortë nga Perëndimi, përfshirë vendosjen e sanksioneve të reja dhe një sistem të përbashkët të mbrojtjes.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, por ka kushtëzuar këtë hap me një përkushtim të njëjtë nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s, veçanërisht në ndalimin e blerjes së naftës ruse.

Në terren, forcat ruse dhe ato ukrainase vazhdojnë përleshjet në lindje të Ukrainës, ndërsa ushtria ukrainase raporton përparime në rajonin e Sumyt, pavarësisht shtimit të sulmeve ruse në rajonet Donetsk, Kharkiv dhe Dnipropetrovsk.

Tensionet e shtuara në kufijtë lindorë të Europës kanë rikthyer frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, me udhëheqësit perëndimorë që paralajmërojnë për ditë vendimtare për sigurinë e kontinentit.