FLASH :

Shqiptarët mbushin Hagën në mbështetje të Thaçit e ish-krerëve të UÇK-së

Në Hagë u zhvillua sot një protestë e qytetarëve dhe veteranëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimin, të cilët akuzohen për krime lufte.

Protesta zhvillohet një ditë para se të nisë paraqitja e provave nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Drejtësia nuk njeh vonesa”, “Gjyqi tani! Jo më pritje pafund”, “Liria ka emër”, ishin disa nga parullat që mbanin në duar protestuesit shqiptarë në Hagë. Shumë parrulla të tjera ishin në gjuhën angleze, në të cilat u bë thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në protestë pranishëm ishin edhe shumë shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të ndryshme të Europës.

Ndërsa, Kryeministri shqiptar Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se ‘Liria ka emër’, teksa thekson se ‘Me zemër e mendje jam edhe unë atje sot Komandant‘.

Në sallën e gjyqit nesër (15 shtator) në mbrojtje të ish-Presidentit të Kosovës,Hashim Thaci pritet të paraqitet James Rubin, amerikani i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë ndihmës sekretar i Shtetit. Pas tij do të ketë edhe dëshmitarë të tjerë që janë figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Ish-luftëtarët e UÇK i kanë mohuar të gjitha akuzat dhe kanë thënë se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.