Një ndjekje e rrezikshme policore ka ndodhur në Itali, teksa një 24-vjeçar shqiptar u përfshi në aksident teksa tentonte t’i ikte ndjekjes së karabinierëve në rrugët e Trentola Ducenta, në Cesena.
I riu, së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar, po drejtonte një “Fiat Punto” në Via Nuziale Sant’Antonio, kur me të parë oficerët, u përpoq të ikte nëpër rrugët e qytetit. Ndjekja përfundoi në San Marcellino, ku makina u përplas me një makinë të parkuar.
Të tre e braktisën automjetin, i cili tani ishte i papërdorshëm dhe u përpoqën të iknin në këmbë, teksa nuk pati të dëmtuar në njerëz. 24-vjeçari u kap dhe u arrestua nga karabinierët pas një ndjekjeje të shkurtër, ndërsa bashkëpunëtorët e tij arritën të zhdukeshin.
Kontrollet zbuluan se i riu nuk kishte leje drejtimi dhe se Fiat Punto ishte i pasiguruar. I arrestuari do të përballet me akuzat për rezistencë ndaj një zyrtari publik, drejtim mjeti pa patentë dhe mungesë sigurimi, informon media italiane.
Ai është vendosur në arrest shtëpiak, në pritje të një seance të shkurtër dëgjimore në gjykatë.