Një skenë që të lë pa fjalë është filmuar në SHBA, ku një i burgosur gjysmë i zhveshur dhe me pranga në duar, është parë duke dalë nga dritarja e prishur e një furgoni të burgut në mes të një autostrade të mbushur me makina.
Ngjarja ndodhi të martën në mbrëmje në autostradën Interstate 40, pranë urës ikonike Skydance Bridge në Oklahoma City. Videoja e ngjarjes është bërë virale në rrjetet sociale.
Në pamje, i burgosuri, që kishte hequr pjesën e sipërme të uniformës portokalli, por e mbante ende të mbështjellë rreth krahëve, shihet duke dalë nga pjesa e pasme e furgonit dhe duke bërtitur ndaj makinave që po e ndiqnin pas.
Furgoni në fjalë ishte i Departamentit të Burgjeve të Oklahomës (DOC), me targa zyrtare shtetërore.
Sipas dëshmitarëve, i burgosuri kishte thyer ose çmontuar xhamin e pasmë dhe kishte dalë gjysmë trupi jashtë, duke u përpjekur të kërkonte ndihmë ose të arratisej.
Departamenti i Burgjeve konfirmoi incidentin dhe tha se furgoni ishte në një transport rutinë kur ndodhi ngjarja. Ata shtuan se drejtuesit reaguan menjëherë, dolën nga autostrada dhe kërkuan përforcime.
“Personi u sigurua me sukses dhe transporti u përfundua pa incidente të mëtejshme,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë zbuluar identitetin e të burgosurit dhe nuk është bërë e qartë nëse po hetohet rasti apo nëse do të ketë masa disiplinore ndaj oficerëve përgjegjës.
Ngjarja po ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e transportit të të burgosurve në SHBA.