Revista portugeze TV Guia ka ndezur polemika të forta pas botimit të kopertinës së saj të fundit, e cila riktheu në kujtesë një nga ngjarjet më të rënda që ka tronditur futbollin portugez: humbjen tragjike të futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij, André Silva, më 3 korrik, pas një aksidenti fatal automobilistik.
Në vend që të përqendrohej te dhimbja e familjes dhe homazhet për dy të rinjtë që humbën jetën, revista zgjodhi një qasje krejtësisht të ndryshme, duke vënë në pah një afërsi të supozuar mes mikut të ngushtë të Jotës, mesfushorit Ruben Neves, dhe vejushës së tij, Rute Cardoso.
Në Faqe n e parë, TV Guia publikoi një artikull me titull: “Ruben Neves dhe Rute. Të bashkuar pas vdekjes”, të shoqëruar me një foto ku ata shfaqeshin duke u përqafuar. Ky imazh, i nxjerrë sipas kritikëve jashtë çdo konteksti, është konsideruar një manipulim i rëndë mediatik dhe një mungesë respekti për dhimbjen e familjes.
Kopertina nuk kaloi pa u vënë re dhe brenda pak orësh u bë temë diskutimi në mediat e tjera dhe rrjetet sociale, duke ngritur pyetje mbi etikën e gazetarisë dhe kufirin mes informacionit publik dhe sensacionalizmit.
Menjëherë pas publikimit, rrjetet sociale u mbushën me reagime të zemëruara. Shumë ndjekës të futbollit e quajtën veprimin e revistës një akt të papërgjegjshëm, duke akuzuar TV Guia se po përdor një tragjedi për të tërhequr vëmendje dhe shitje.
Komentet ishin të shumta dhe të ashpra: disa e konsideruan kopertinën si një fyerje të drejtpërdrejtë ndaj kujtimit të Jotës dhe familjes së tij, të cilët ende janë duke kaluar periudhën e zisë. Të tjerë vunë në dukje se një media serioze duhet të tregojë ndjeshmëri dhe respekt, sidomos në raste të tilla tragjike, e jo të ushqejë thashetheme që nuk kanë asnjë bazë të verifikuar.
Ky rast ka rihapur debatin mbi mënyrën se si disa revista sensacionale i trajtojnë ngjarjet tragjike. Pyetjet kryesore që po shtrohen janë:
-Deri ku mund të shkojë një media për të rritur shitjet?
-A është e drejtë të shfrytëzohet dhimbja njerëzore për të ndërtuar histori që tërheqin lexuesin?