Më shumë se 100,000 persona janë mbledhur në qendër të Londrës për të marrë pjesë në marshimin “Unite the Kingdom” (Bashko Mbretërinë), të organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson.
Ndërkohë, në një tjetër pjesë të qytetit po zhvillohet kundër-protesta “Marshimi kundër Fashizmit”, e organizuar nga lëvizja Stand Up To Racism (SUTR).
Në sheshin Whitehall, protestuesit e marshimit kryesor po dëgjojnë fjalime nga figura të njohura të së djathtës ekstreme, përfshirë edhe Steve Bannon, ish-strateg i fushatës së Donald Trump.
Policia Metropolitane raportoi se efektivët e saj janë sulmuar me sende të forta, dhe kanë qenë të detyruar të përdorin forcë për të ndaluar thyerjen e kordonëve të sigurisë. Rreth 1,000 policë janë dislokuar në Londër, ndërsa 500 të tjerë janë sjellë nga forca policore të tjera në Britani, përfshirë Leicestershire, Nottinghamshire dhe Devon & Cornwall.
Barriera të shumta janë vendosur për të krijuar një zonë të izoluar midis dy grupeve të protestuesve.
Rreth mesditës, rrugët pranë Waterloo Bridge u mbushën me flamuj britanikë, përfshirë Union Jack, kryqin e Shën Gjergjit, flamurin skocez dhe atë të Uellsit. Ndër flamujt dhe banderolat u panë parulla si: “Stop the Boats”, “Send Them Home” dhe “Unite the Kingdom”. Ndër protestues kishte edhe aktivistë anti-transgjinorë.
Një burrë mbante një kryq druri të madh me mbishkrimin ‘RIP Charlie Kirk’, në nderim të aktivistit të djathtë amerikan që u vra pak ditë më parë gjatë një aktiviteti në universitet.
Një skenë ishte ngritur në Whitehall për fjalimet, dhe në orët e para të pasdites aty ishin mbledhur qindra protestues, me flamuj, banderola dhe muzikë që lartësonte Robinson-in.
Kundër-protesta: “Marshimi kundër Fashizmit”
Ndërkohë, mijëra njerëz u mblodhën pranë Russell Square për kundër-protestën e organizuar nga Stand Up To Racism, nën moton “March Against Fascism”.
Protestuesit mbanin pankarta me slogane si: “Gratë kundër ekstremit të djathtë”, “Kundërshtoni Tommy Robinson” dhe “Refugjatët janë të mirëpritur”. Ata pritet të marshojnë drejt Parliament Square, vetëm pak qindra metra larg nga vendndodhja e protestës kryesore. Ndër folësit e njoftuar janë edhe deputetet Diane Abbott dhe Zarah Sultana.
Policia Metropolitane konfirmoi se nuk do të përdorë teknologjinë e njohjes faciale në kohë reale gjatë këtij marshimi, një praktikë që zakonisht përdoret në tubime të mëdha për kontroll të turmës.
Gjithashtu, policia njoftoi se kishte marrë shqetësime nga komunitetet myslimane në Londër, për shkak të prapavijës së Robinson-it dhe retorikës së tij anti-myslimane në marshime të mëparshme.
Komandantja Clair Haynes i bëri thirrje qytetarëve myslimanë të mos ndryshojnë planet e tyre apo të shmangin qendrën e Londrës, duke shtuar:
“Policët do të ndërhyjnë menjëherë në çdo sjellje diskriminuese ose që kthehet në krim urrejtjeje.”
Ajo gjithashtu tha se forcat e rendit do të veprojnë “pa frikë apo favor” dhe u kërkoi të gjithë protestuesve të respektojnë komunitetet lokale gjatë marshimit.
Policia ka urdhëruar që protesta “Unite the Kingdom” të përfundojë brenda orës 18:00, ndërsa kundër-protesta “March Against Fascism” të mbyllet deri në 16:00, në përputhje me oraret e parashikuara nga organizatorët.