Brenda mediave maqedonase, një numër mediash të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë nisur fushatë të heshtur, bojkotimi ndaj paraqitjeve publike të kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Çairit, Bujar Osmani, ish kryediplomat.
Në skenën mediatike të Maqedonisë së Veriut po vërehet një praktikë shqetësuese që ngre pyetje serioze për lirinë e informimit dhe pluralizmin politik. Sipas burimeve të mirëinformuara, brenda mediave maqedonase, një numër mediash të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë nisur fushatë të heshtur, bojkotimi ndaj paraqitjeve publike të kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Çairit, Bujar Osmani, ish kryediplomat.
Vendimi vjen si pasojë e presioneve politike dhe ndikimit të pushtetit aktual, respektivisht kryeministrit Hristijan Mickoski. Sipas informacioneve që kanë arritur tek ne, arsyet e bojkotit lidhen me retorikën e drejtpërdrejtë të Osmanit: kundër botës serbe, që është ditë e më shumë prezente në Maqedoninë e Veriut, mbrojtjen e barazisë së shqiptarëve në shtetin multietnik, kundërshtimin ndaj tendencave për të reduktuar shqiptarët në status të pakicës etnike dhe kritikat ndaj hapave për të minuar Marrëveshjen e Ohrit, dokumentin kyç që garanton bashkëjetesën ndëretnike.
“RMV ka hyrë thellë në kthetrat e botës serbe. Ka nisur kjo me emërimin e Stoillkoviq (me përkatësi serbe) për zëvendëskryeministër për MO-në dhe në këtë mënyrë të kapë elementet më të rëndësishme të sistemi. Filloi me raportin e Parlamentit Europian, ku 461 deputetë të PE-së votuan rezolutën ku thonë se RMV është futu thellë në botën serbe. Vazhdoi me tentimin e hapjes së bankës serbe, kompanisë për telekomunikim. Dhe, nuk ndalet këtu, kanë hyrë në çdo sferë të sistemit, kanë hyr në biznese, në politikë. RMV është në pikën më të afërt si pjesë, si proxy lojtar i botës serbe, ndoshta që nga lufta e parë botërore”, tha Osmani në një nga paraqitjet e fundit para qytetarëve.
Si rrjedhojë, ngritet çështja se mos vallë bojkotimi është imponuar si pasojë e kapjes së mediave nga qeveria aktuale dhe një përpjekje për të kontrolluar narativën politike në vend, sidomos tash para zgjedhjeve aktuale, ku nga paraqitjet e Osmanit po vërehet një lëvizje e re që kërkon rezistencë ndaj padrejtësive.