Gastriti është një nga problemet më të shpeshta të stomakut dhe prek mijëra njerëz çdo vit. Dhimbjet, djegia dhe shqetësimet që shkakton kjo gjendje shpesh lidhen drejtpërdrejt me mënyrën e të ushqyerit. Mjekët theksojnë se, përveç trajtimit mjekësor, një rol vendimtar ka edhe dieta e përditshme. Ka disa ushqime të cilat duhen shmangur me çdo kusht, sepse vetëm sa e përkeqësojnë gjendjen dhe rrisin inflamacionin.
Ekspertët rendisin si problematikë të parë ushqimet me aciditet të lartë, përfshirë agrumet, domatet dhe lëngjet e tyre, të cilat shtojnë ndjeshëm sekretimin e acidit në stomak. Në listën e zezë futen edhe pijet me kafeinë dhe ato alkoolike, sepse stimulojnë prodhimin e tepërt të acidit gastrik dhe irritojnë murin e stomakut. Ushqimet e yndyrshme dhe të skuqura, të cilat ngadalësojnë tretjen dhe rëndojnë procesin e tretjes, janë gjithashtu ndër faktorët kryesorë që duhen eliminuar nga menuja. Po kaq të dëmshme janë edhe ushqimet pikante dhe të përpunuara si erëzat e forta, sallamet apo produktet e konservuara, që njihen për efektin e tyre irritues. Ndërkohë, edhe ushqimet e ëmbla e të kripura, përfshirë pijet e gazuara dhe ëmbëlsirat industriale, kontribuojnë në rritjen e inflamacionit dhe e rëndojnë më tej stomakun.
Specialistët këshillojnë që të sëmurët nga gastriti të orientohen drejt një diete të lehtë dhe të balancuar, duke zgjedhur ushqime të buta dhe jo-acidike si banane, mollë, oriz, patate të ziera, peshk ose mish pule pa lëkurë, si dhe çajra bimorë si kamomili apo xhenxhefili. Përveç kësaj, rekomandohet të konsumohen vakte të vogla e të shpeshta, në mënyrë që stomaku të mos ngarkohet dhe të lehtësohet procesi i tretjes