FLASH :

Interes rekord për Kupën e Botës 2026, mbi 1.5 milionë aplikime për bileta

Tre vendet pritëse kryesojnë listën për numrin më të madh të aplikimeve, të ndjekura nga tifozët e pasionuar në Argjentinë, Kolumbi, Brazil, Angli, Spanjë, Portugali dhe Gjermani.

Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada verën që vjen, po tërheq një interes të jashtëzakonshëm nga tifozët në mbarë globin. Deri më tani, mbi 1.5 milionë persona nga 210 vende të ndryshme janë regjistruar për të marrë pjesë në fazën e parë të shitjes së biletave.

Tre vendet pritëse kryesojnë listën për numrin më të madh të aplikimeve, të ndjekura nga tifozët e pasionuar në Argjentinë, Kolumbi, Brazil, Angli, Spanjë, Portugali dhe Gjermani. Regjistrimi për parashitjen e biletave mbyllet më 19 shtator, ndërsa shorti i përzgjedhjes do të zhvillohet nga FIFA. Fituesit do të njoftohen më 29 shtator dhe do të kenë mundësinë të blejnë biletat e para duke nisur nga 1 tetori.

Çmimet e biletave për fazën e grupeve nisin nga 60 dollarë, ndërsa FIFA ka konfirmuar se do të ketë raunde të tjera shitjesh në tetor për të plotësuar kërkesën e madhe.

Ndërkohë, nëntë muaj para ceremonisë hapëse janë konfirmuar 18 nga 48 skuadrat pjesëmarrëse. Përveç vendeve organizatore, Botërorin e vitit të ardhshëm e kanë siguruar kampionia në fuqi Argjentina, si dhe Ekuadori, Kolumbia, Uruguaji, Brazili e Paraguaji nga Amerika e Jugut. Nga Azia kanë siguruar pjesëmarrjen Irani, Uzbekistani, Jordania, Koreja e Jugut, Japonia dhe Australia; nga Afrika do të jenë Maroku dhe Tunizia, ndërsa Zelandës së Re i takon përfaqësimi i Oqeanisë.

Uzbekistani dhe Jordania do të shkruajnë historinë e tyre, pasi do të debutojnë për herë të parë në një Botëror futbolli.