FLASH :

Si ndahen raportet gjinore në Shqipëri? Gratë dominojnë në numër, burrat në paga

Instituti i Statistikave ka publikuar të dhëna të detajuara mbi ndarjen gjinore në Shqipëri, duke hedhur dritë mbi popullsinë, lindjet, vdekshmërinë, shëndetin, tregun e punës dhe përfitimet sociale.

Në fund të vitit 2024, popullsia shqiptare përbëhej nga 50.5% gra dhe 49.5% burra. Krahasuar me vitin e mëparshëm, vërehet një rënie e popullsisë me 1.3% për burrat dhe 1% për gratë. Raporti gjinor i lindjeve mbetet i lartë: për çdo 100 vajza të lindura, lindin 108 djem, një shifër që tejkalon normën natyrale prej 105. Ndërkohë, vdekshmëria foshnjore është ulur në 5.3 për një mijë lindje tek djemtë dhe 4.1 tek vajzat, duke dhënë një shenjë pozitive për kujdesin shëndetësor.

Shëndeti i popullsisë vijon të ndikohet kryesisht nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, të cilat shkaktojnë 54.7% të vdekjeve tek gratë dhe 51.4% tek burrat. Gjatë vitit 2024, nga 23,310 lindje të regjistruara, janë shënuar 4,192 aborte, një raport prej 180 aborte për çdo 1000 lindje. Më e larta normë e abortit tek të rejat është shënuar në moshën 18 vjeç, me 179 aborte për 1000 lindje, ndërsa pjesa më e madhe e aborteve kryhen nga gratë 20–34 vjeç, grupmosha më riprodhuese.

Në tregun e punës, burrat rezultojnë më të favorizuar. Papunësia për burrat 15–64 vjeç është 8.9%, kundrejt 10% për gratë. Arsyet e inaktivitetit ndryshojnë ndjeshëm: 14% e grave thonë se qëndrojnë jashtë tregut të punës për shkak të detyrave shtëpiake, ndërsa vetëm 0.4% e burrave japin këtë arsye. Ndërkohë, numri i grave punëkërkuese të papuna rritet me moshën, ndërsa për burrat vërehet e kundërta. Tek të dyja gjinitë, rreth gjysma e punëkërkuesve të papunë kanë përfunduar vetëm arsimin 8/9-vjeçar (46.9% gra dhe 44.3% burra).

Edhe tek pensionet ka një ndarje interesante: 48.4% e përfituesve të pensioneve urbane janë gra, ndërsa në zonat rurale kjo shifër rritet ndjeshëm në 63.7%. Në aspektin ekonomik, hendeku gjinor në paga është 4.9% në favor të burrave, por ka një zhvillim pozitiv  krahasuar me një vit më parë, ky hendek është ulur me 1.3 pikë përqindje.