Në pikën kufitare të Qafë Thanës është ndaluar një shtetas 29-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet austriake.
Sipas Policisë, M. G., banues në Veleshtë, tentoi të dilte nga territori i Shqipërisë, ndërkohë që rezultonte i dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën ishte lëshuar urdhër-arresti nga Interpol Viena.
Arrestimi i tij u bë në kuadër të kontrolleve të imtësishme në kufi, ndërsa Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Austrisë.
Njoftimi:
PKK Qafë Thanë
Tentoi të dilte nga Republika e Shqipërisë, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet austriake si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kapet dhe arrestohet përkohesisht me qëllim ekstradimi në Austri 29-vjeçari nga Maqedonia e Veriut.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim që tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Thanës ndaluan në dalje shtetasin maqedonas M. G., 29 vjeç, banues në Veleshtë, Maqedonia e Veriut.
Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me partnerët austriakë, nëpërmjet Interpol Tiranës, rezultoi se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viena, Austri si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 29-vjeçarit.