FLASH :

I arrestuari për krime lufte dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 71 shqiptarëve në Vushtrri

Policia e Kosovës ka arrestuar të premten e 12 shtatorit, një person të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Ai akuzohet se mori pjesë në masakrën e 22 majit 1999 në Vushtrri, ku u vranë 71 civilë shqiptarë.

Sipas njoftimit në raportin 24-orësh, Policia më 12 shtator ndaloi të dyshuarin, shtetas kosovar, i cili gjatë luftës së viteve 1998-1999 dyshohet se ka vepruar në grup dhe në mënyrë të organizuar si pjesëtar i mobilizuar në njësi të MUP-it serb.

Hetimet e deritanishme tregojnë se ai ka marrë pjesë drejtpërdrejt në privimin nga jeta të 71 civilëve shqiptarë në komunën e Vushtrrisë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Mediat serbe kanë raportuar se i dyshuari ka jetuar në veri të Kosovës dhe ka punuar si shofer autobusi.

Në gusht, ajo madje ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i dorëzoi lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe gjykatat vendore. Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.