Autoritetet kanë zbuluar gjurmën e errët online të Tyler Robinson, 22 vjeç, i dyshuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, 31 vjeç, gjatë një fjalimi në Utah Valley University këtë javë.
Sipas hetuesve, Robinson kishte përdorur platformën Discord për të ndarë mesazhe ku përshkruante veprimet e tij pas atentatit, përfshirë fshehjen e armës së krimit në një shkurre dhe ndryshimin e veshjeve për të shmangur policinë.
Plumba të gdhendur me mesazhe dhe simbole politike
Hetuesit thanë se para sulmit, Robinson kishte gdhendur mesazhe në plumba, duke përfshirë referenca nga kultura e internetit dhe simbolika antifashiste. Njëri prej tyre mbante shprehjen “Notices bulge OwO, what’s this?”, një meme e përdorur për të provokuar komunitetin “furry” dhe personat transgjinorë.
Një tjetër kishte të gdhendur fjalët “Hey Fascists! Catch” me shigjeta që, sipas autoriteteve, mund të lidhen me kodet e lojës video Helldivers 2 apo me simbolin historik të Iron Front, një grup antifashist i periudhës së Weimarit në Gjermani.
Gjithashtu, një plumb përmbante vargje nga kënga antifashiste italiane “Bella Ciao”, ndërsa një tjetër mesazh ofendues shkruante: “If you read this you are gay LMAO”.
Arrestimi dhe motivi i dyshuar
Robinson u dorëzua në polici nga babai i tij dhe një pastor në Utah, pasi imazhet e tij u publikuan nga autoritetet. Guvernatori Spencer Cox deklaroi se i riu kishte shfaqur qëndrime gjithnjë e më politike, duke kritikuar hapur qëndrimet e Kirk, të cilin e kishte quajtur “të mbushur me urrejtje”.
Sipas policisë, Robinson mbërriti në kampus me një Dodge Challenger gri, i veshur me një T-shirt maron dhe kapele të zezë, përpara se të hapte zjarr ndaj Kirk. Ai u arrestua vetëm 33 orë pas atentatit, në një operacion që FBI e përshkroi si “historik”.
Reagimet pas vrasjes
Presidenti Donald Trump kërkoi dënimin me vdekje për autorin e atentatit, duke e cilësuar Kirk-un si një “njeri të jashtëzakonshëm” dhe “patriot të vërtetë”.
Charlie Kirk, i njohur për debatet e tij të ashpra me studentë në kampuset amerikane dhe mbështetjen e fuqishme të lëvizjes MAGA, ishte baba i dy fëmijëve. Ai humbi jetën menjëherë pas të shtënave.