FLASH :

Sherr në mes të natës: Ylli i NBA-së dhe partnerja përplasen jashtë një feste të Fashion Week

Ylli i NBA-së, Jalen Green, 23 vjeç, është filmuar duke debatuar ashpër me të dashurën e tij, aktoren Draya Michele, 40 vjeç, në orët e para të mëngjesit të së premtes jashtë një feste luksoze të New York Fashion Week.

Incidenti ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit jashtë hotelit boutique The Manor në SoHo, ku çifti kishte marrë pjesë në festën e përvitshme të Mert Alas, ku ishin të pranishëm edhe yje të tjerë si Dakota Johnson, Salma Hayek dhe Colman Domingo.

Në pamjet e siguruara nga Daily Mail, Green shihet duke e provokuar partneren e tij në rrugë, para se Michele të tentonte ta konfrontonte. Dy miq të çiftit ndërhynë menjëherë për t’i ndarë, ndërsa përplasja verbale vazhdoi jashtë festës së Seventy One Gin.

Një prej miqve dëgjohet duke i thënë Michele: “Stop, stop, stop… të gjithë do të kemi telashe”, ndërsa një tjetër shton: “Të falim njëri-tjetrin”. Sipas dëshmitarëve, tensionet kanë vazhduar edhe gjatë ecjes së tyre në rrugët e Nju Jorkut.

Marrëdhënie e diskutueshme për shkak të diferencës në moshë

Green dhe Michele kanë një diferencë prej 17 vitesh në moshë, gjë që ka ngjallur reagime që në fillimet e lidhjes së tyre në verën e vitit 2023. Ata ndajnë një vajzë të vogël, të lindur në maj 2024, ndërsa Michele ka edhe dy djem nga lidhjet e mëparshme.

Aktorja, e njohur nga seriali Basketball Wives LA, ka folur më parë për presionin publik rreth romancës së saj me basketbollistin: “Mundohesh të mos e marrësh për zemër, por je njeri dhe ke ndjenja… ndonjëherë komentet të lëndojnë, edhe pse përpiqesh t’i injorosh”.

Një vit i trazuar për çiftin

Këtë vit, çifti përjetoi një tjetër ndryshim të madh, kur Green u transferua nga Houston Rockets te Phoenix Suns si pjesë e marrëveshjes që solli Kevin Durant në Teksas. Michele tha se roli i saj kryesor është ta mbështesë partnerin: “Do të kujdesem për gjithçka që ai të fokusohet vetëm tek basketbolli”.

Edhe pse sherri i fundit ka tërhequr vëmendje, Michele u pa mëngjesin e së premtes duke u kujdesur për vajzën e tyre në Manhattan, duke postuar një video me mbishkrimin: “Baby in the Big Apple”, ku Green nuk ishte i pranishëm.