FLASH :

‘Tapet i kuq’ në aeroportin e Dubait, vendoset kalimi pa pasaportë

Dubai mban një sërë rekordesh botërore, nga ndërtesa më e lartë te pishina më e thellë.

Por tani do të ketë një kalim kontrolli pasaportash ku udhëtarët nuk kanë nevojë të ndalojnë dhe të dorëzojnë dokumentet.

I quajtur “korridori i tapetit të kuq”, kalimi ka Inteligjencë Artificiale, kamera biometrike dhe të dhënat e fluturimeve për të dalluar pasagjerët apo bagazhet e dyshimta, shkruan Metro.

Kjo do të thotë se nuk duhet të paraqitet pasaporta apo lejekalimi dhe udhëtarët mund ta kryejnë procedurën e sigurisë për 6-14 sekonda.

Në të mund të kalojnë njëkohësisht dhjetë persona duke e bërë perfekt për familjet apo grupet, por nevojitet që të dhënat e pasaportës të jenë regjistruar dhe të jetë dërguar një foto paraprakisht.

Kjo risi mendohet të përmirësojë përvojën e udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait.

Për momentin, tuneli teknologjik është vetëm në terminalin 3 të fluturimeve Business Class, por së shpejti do të gjendet edhe në pikat e tjera.

Aeroporti i Dubait njoftoi në shkurt 2024 se do të ndërtonte tunelin dhe fillimisht u mendua se do të përfundonte brenda vitit.

Singapori ka gjithashtu një sistem të ngjashëm. Në tetor 2024, aeroporti Changi zbuloi konceptin “pa pasaportë” që sërish funksionon falë IA dhe të dhënave biometrike.

Udhëtarët duhet të paraqesin pasaportën kur mbërrijnë, por mund ta përdorin sistemin në nisje të fluturimit.