Në fillim të nëntorit, në seancën e saj solemne, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të shqyrtojë për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë ligjshmërinë e përdorimit nga Donald Trump të kompetencave emergjente për të vendosur tarifa të përgjithshme ndaj partnerëve tregtarë.
Ky proces pritet të ketë pasoja që shkojnë përtej politikës tregtare, duke ndikuar potencialisht në formësimin e qeverisjes amerikane për dekada.
Ekspertët paralajmërojnë se vendimet që do të merren mund të rishkruajnë gjithçka, nga kufijtë e fuqisë presidenciale deri te shtetësia amerikane.
Leah Litman, profesore në Universitetin e Miçiganit, thekson se edhe pse gjykata ka shmangur të gjykojë drejtpërdrejt mbi politikat e Trump muajt e fundit, ajo ka lejuar veprime shumë të gjera të administratës, përfshirë deportimet drejt vendeve të treta.
Kritikët e Trump besojnë se Gjykata e Lartë duhet të jetë një mburojë kundër tendencave të tij autoritare dhe përdorimit të pushtetit për të anashkaluar Kongresin apo për të ndjekur kundërshtarët politikë.
Por mbështetësit e tij shpresojnë se shumica konservatore 6-3, ku përfshihen edhe tre gjyqtarë të emëruar prej tij, do t’i japë dritë jeshile projektit të tij për të riformësuar Amerikën.
Çështjet kryesore në shqyrtim:
Tarifat tregtare: Gjykata e Lartë do të vendosë nëse Trump kishte autoritet të përdorte ligjin për fuqitë emergjente ekonomike pa miratimin e Kongresit.
Agjencitë federale: Në qendër të debatit është përpjekja e Trump për të shkarkuar zyrtarë të agjencive të pavarura, si komisionerë të FTC apo anëtarë të Bordit të Rezervës Federale.
Imigracioni: Përdorimi nga Trump i ligjit të vitit 1798 për dëbime të përshpejtuara është hedhur poshtë nga një gjykatë apeli, duke hapur rrugën për një vendim përfundimtar të Gjykatës së Lartë.
Përdorimi i forcave të armatosura: Presidenti ka dislokuar ushtrinë në disa qytete amerikane dhe ka marrë nën kontroll Garda Kombëtare e Kalifornisë, duke shkaktuar debate mbi ligjshmërinë e këtyre veprimeve.
Shtetësia me lindje (Birthright Citizenship): Një nga urdhrat më të diskutueshëm ekzekutivë të Trump kufizon dhënien automatike të shtetësisë amerikane për fëmijët e lindur në SHBA nga prindër pa dokumente, duke ngritur sfida kushtetuese serioze.
Ekspertët paralajmërojnë se vendimet e Gjykatës së Lartë gjatë kësaj periudhe mund të jenë ndër më të rëndësishmet në historinë e saj, me ndikim të drejtpërdrejtë në demokracinë amerikane dhe balancën mes pushteteve.