FLASH :

Holanda i bashkohet bojkotit të Eurovisionit nëse Izraeli merr pjesë

Kriza në Eurovision thellohet. Transmetuesi publik holandez AVROTROS ka konfirmuar se Holanda do të bojkotojë Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2026 nëse Izraeli përfshihet në garë, duke iu bashkuar kështu Sllovenisë, Islandës, Spanjës dhe Irlandës në këtë qëndrim.

Në deklaratën e tij, AVROTROS theksoi se që nga themelimi i Eurovisionit në vitin 1956, qëllimi i garës ka qenë bashkimi i popujve përmes muzikës, në frymën e paqes, barazisë dhe respektit, por shtoi se pjesëmarrja e Izraelit “nuk mund të justifikohet më duke pasur parasysh vuajtjet e rënda njerëzore në Gaza”.

Transmetuesi holandez përmendi gjithashtu shtypjen e lirisë së medias dhe ndërhyrjet politike të qeverisë izraelite gjatë edicionit të këtij viti, duke paralajmëruar se këto janë në kundërshtim me vlerat e transmetimit publik. Deklarata e tij ndjek linjën e transmetuesit irlandez RTÉ, i cili ngriti të njëjtat shqetësime në fillim të javës.

Ministri spanjoll i Kulturës, Ernest Urtasun, deklaroi gjithashtu se pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision është e papranueshme, duke e cilësuar qeverinë e Tel Avivit si “gjenocidale” dhe duke i kujtuar publikut se kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka kërkuar më herët përjashtimin e Izraelit nga gara ndërkombëtare, ashtu siç ndodhi me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës.

Presioni ndaj Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) sa vjen e shtohet. Mbi 70 ish-konkurrentë të Eurovisionit kanë nënshkruar një letër të hapur për përjashtimin e Izraelit, ndërsa edhe fituesi i vitit 2025, këngëtari austriak JJ, është shprehur kundër pjesëmarrjes së këtij vendi në edicionin e ardhshëm.

EBU ka shtyrë afatin e tërheqjes pa penalitete deri në muajin dhjetor, kur pritet të merret një vendim përfundimtar në Asamblenë e Përgjithshme. Ndërkohë, edicioni i 70-vjetorit të Eurovisionit do të mbahet në Vjenë, Austri, me finalen që do të zhvillohet më 16 maj 2026.