FLASH :

The Rolling Stones drejt albumit të 25-të, planifikojnë edhe një turne evropian

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të albumit Hackney Diamonds, që u ngjit në majat e top-listave dhe i solli grupit legjendar çmimin Grammy për “Albumin më të Mirë Rock” në vitin 2025, The Rolling Stones duket se janë gati të sjellin një tjetër surprizë.

Sipas Marlon Richards, djalit të Keith Richards, rok-erët britanikë janë “pothuajse në fund” të procesit të regjistrimit të albumit të tyre të 25-të në studio. “Janë në qytet tani, duke regjistruar. Mendoj se pothuajse kanë mbaruar. Ende i mbajnë këto orare qesharake: pas drekës deri në orën dy të mëngjesit”, tha ai në një intervistë për Record Collector.

Albumi i fundit, Hackney Diamonds (2023), përmbante regjistrimet e fundit të bateristit Charlie Watts, i cili u nda nga jeta në vitin 2021, dhe u bë një sukses historik duke u renditur i pari në Mbretërinë e Bashkuar – i 14-ti në karrierën e grupit.

Megjithëse anëtarët e mbetur të grupit kanë kaluar të 78-at (Mick Jagger 82, Keith Richards 81 dhe Ronnie Wood 78), energjia e tyre duket më e fortë se kurrë. Marlon Richards shtoi se pas çmimit Grammy, fryma kreative e Stones është ringjallur: “Ata thanë: ‘Oh, po – mund të bëjmë një tjetër! Kemi edhe më shumë të tilla nëse doni’.”

Edhe vetë Mick Jagger ka deklaruar më parë për The New York Times se nuk e sheh Hackney Diamonds si “albumin e fundit” dhe se grupi kishte përfunduar tashmë “tre të katërtat e albumit tjetër”.

Por përveç muzikës, në horizont duket edhe një tjetër surprizë për fansat: një turne i madh evropian. Sipas Marlon Richards, The Rolling Stones po planifikojnë rikthimin në skenat e BE-së, pasi planet për koncerte në Paris, Londër, Barcelonë dhe Romë u anuluan këtë vit për shkak të konflikteve në orare dhe sfidave logjistike.

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, vitin e ardhshëm fansat evropianë mund të kenë mundësinë të shohin legjendat e rock-ut përsëri live – një dëshmi e fuqishme se The Rolling Stones ende nuk kanë ndërmend të ndalen.