FLASH :

Brooke Hogan reagon pas testamentit të Hulk Hogan: Ishte vendimi që doja

Pas vdekjes së Hulk Hogan në korrik, në moshën 71-vjeçare, është zbuluar se legjenda e WWE ka lënë pas një pasuri prej gati 5 milionë dollarësh. Përfitues i vetëm i testamentit është i biri, Nick Hogan. Vajza e tij, Brooke Hogan, ka thyer heshtjen, duke theksuar se nuk është e befasuar nga ky vendim.

“Nuk është surprizë për mua. Ishte ajo që kërkova dhe nuk kam asnjë pendim,” u shpreh Brooke, 37 vjeç, në një intervistë për TMZ më 11 shtator. “Babai im e di që jam një punëtore e palodhur dhe kam jetuar pa paratë e tij prej shumë kohësh.”

Brooke u bë e njohur fillimisht si këngëtare pop dhe më pas si pjesë e reality show-t familjar Hogan Knows Best në VH1, i cili më pas solli edhe spin-off-in e saj, Brooke Knows Best. Për një kohë ajo shfaqej rregullisht edhe në evente të mundjes pranë të atit.

Megjithatë, marrëdhënia e saj me Hulk është ftohur gjatë dekadës së fundit, mes polemikave të shumta ku ai u përfshi, përfshirë edhe fjalimin e tij në mbështetje të Donald Trump në Konventën Republikane të vitit 2024.

Prej vitit 2018, Brooke ka ndërtuar karrierën e saj në fushën e dizajnit të brendshëm. Ajo u martua në vitin 2022 me ish-lojtarin e NHL, Steven Oleksy, dhe në janar të këtij viti çifti u bë prindër të binjakëve.

Komentet e saj vijnë vetëm disa ditë pasi vëllai, Nick, kërkoi urdhër mbrojtjeje kundër moderatorit radiofonik Bubba the Love Sponge Clem, lidhur me përdorimin e kasetës intime të të atit në një dokumentar të ri.