Një skandal është zbuluar nga policia e Tiranës përpara disa ditësh ku një nga klinikat më të njohura në zemër të Tiranës, pranë Zogut të Zi, klinika estetike ‘International Medicare Hospital’ e njohur edhe me emrin ‘Sante Plus’ mashtronte pacientët duke i zhvatur shumë të mëdha parash dhe duke mos i ofruar shërbime mjeksore.
Ka qenë një shtetas portugez, i cili në muajin prill të vitit 2024 ka rënë në kontakt me këtë spital privat ku ka kërkuar të realizojë tre ndërhyrje kirurgjikale estetike.
Referuar dëshmisë së tij, ai ka kryer në periudha të ndryshme tre pagesa në total prej 5200 eurosh.
Këto shërbime nuk i janë realizuar prej gati një viti ku ai thotë se është mashtruar duke i shtyrë datën e operacionit. Lekët sipas tij, spitali privat ende nuk ia ka kthyer mbrapsht.
Pagesat sipas tij ia ka dorëzuar Xhuana Likos, që sipas shtetasit të huaj ishte drejtoresha e spitalit.
Kjo e fundit në dëshminë e saj ka thënë se nuk është drejtuese e spitalit privat ‘Intenational Medicarë Hospital’, por thjesht recepsioniste që kishte për detyrë të priste pacientët.
Ajo ka thënë se pronarët e klinikës, shtetasi turk Bilal Kara 45-vjeç, i cili ndodhet në Turqi dhe Geriana Arapi 32-vjeçe e cila ndodhet në Maqedoninë e Veriut, i kanë thënë që të prezantohej tek pacientët si drejtoresha e spitalit.
Skandali rëndohet pas kontrollit të policisë ku në këtë klinikë u gjetën medikamente të skaduara të dëmshme për pacientët si dhe preparate që u ndalohet shitja.
Jo vetëm kaq, por Bilal Kara dhe Geriana Arapi, morën kuzhinierin e spitalit të tyre privat dhe e emëruan zyrtarisht administrator të biznesit të tyre.
Edmond Zaja 62-vjeç, i cili u punësua në të zezë për të gatuar ushqimet e pacientëve, u detyrua që të emërohej administrator i ‘International Medicare Hospital’.
Një tjetër shkelje e këtij spitali, krahas rrezikut për pacientët me medikamentet e skaduara, ishte dhe pagesat e kryera dorazi dhe jo përmes bankës. Madje dhe pagat e punonjësve jepeshin në dorë dhe jo të deklaruara.
Një tjetër dëshmi që fundosi Bilal Karan dhe Geriana Arapin ishte dhe ajo e mjekut turk Yusuf Kenan, i cili përpara hetuesve pranoi se vinte dy herë në muaj për të bërë ndërhyrje kirurgjikale në këtë spital. Sipas tij ai ka realizuar mbi 20 ndërhyrje në këtë spital por i paregjistruar ligjërisht.