FLASH :

Sera me kanabis në Berat/ Dosja e ‘grupit të drogës’ me 17 të pandehur, kalon për gjykim

Ka kaluar pas më shumë se 7 muajsh në gjykim, dosja e 17 personave të përfshirë në kultivimin e kanabisit, që u zbulua në sera në fshatin Drenovicë të Beratit.

Vendimi u dha këtë të premte nga gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që u depozitua në muajin janar të këtij viti, duke çuar në gjyq “grupin e drogës”.

Pjesë e grupit janë shtetasit Blerim Xheka Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj, Mirvaldo Disha, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Hamdi Dyli dhe Samoel Lushaj, Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema.

Në këtë grup ishin të përfshirë edhe 93 gra, punonjesë në këtë aktivitet të paligjshëm, por SPAK shpalli moskompetencë për to.

Operacioni atëherë u ndërmor më 10 nëntor 2022, gjatë të cilit u kap një sasi prej 870 kg kanabis si dhe u arrestuan 11 persona. Dy vite më pas me kërkesë të SPAK, GJKKO firmosi më 22 prill 2024 caktimin e masës së sigurisë personale “arrest në burg” për 9 persona.

Gjatë këtyre kontrolleve, në banesën e njërit prej të hetuarve më parë, u gjetën dhe u sekuestruan 30 kubikë me fidanë kanabisi dhe fara kanabisi të kultivuara në ambient të mbyllur brenda njësisë së banimit, në katin e tretë, ku kishte instalime elektrike dhe pajisje elektrike (llampa) dhe mushama reflektuese. Në përfundim të kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e sendeve prova materiale: 33 aparate celularë të llojeve e modeleve të ndryshme, 1 DVR, 1 laptop, 1 kartë memorie dhe 5 automjete.

Sipas SPAK, të arrestuarit e lartpërmendur dyshohen për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, për ngjarje të verifikuar më datë 10.11.2022, në fshatin Rërëz (Berat), ku në një territor të hapur, u gjetën të ngritura 4 (katër) sera të mbyllura me plastmas, në sipërfaqen e të cilave u evidentua e instaluar linjë elektrike dhe linjë e furnizimit me ujë, përmes një pompe thithëse që furnizohej nga një kanal vaditës përballë serave, tek të cilat u gjetën 769 arka plastike, 11 thasë plastmasi të zinj, të mbushur me material bimor lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 871.4  (tetëqind e shtatëdhjetë e një) kg, kërcej bimësh e pleh kimik, peshore elektronike, gërshërë metalike, dyshekë e jorganë, armë zjarri, aparate celularë, që i’u sekuestruan, ku u arrestuan dhe po hetohen edhe aktualisht me masa të ndryshme sigurie 11 (njëmbëdhjetë) persona. Gjithashu këtu u identifikuan si punëtorë në sera edhe 95 (nëntëdhjetë e pesë) persona të gjinisë femërore.

Ndaj të arrestuarve (disa nga Malësia e Madhe dhe të tjerë nga Kuçova e Berati) ka dyshime të bazuara në prova se në bashkëveprim në grup të strukturuar kriminal, në muajt maj/qershor 2022, ndërmorën një veprimtari të mirëmenduar më parë, për marrjen me qera të disa parcelave toke në Rërëz, Berat, ku pasi ngritën 4 sera për kultivimin e bimëve narkotike, instaluan një linjë furnizimi me ujë dhe një linjë me instalim të pajisjeve elektrike, dhe me të gjitha pajisjet e duhura, për kultivimin e bimës cannabis sativa, e ndërsa në periudhën shtator-tetor-nëntor, organizuan punën për procesin e tharjes, pastrimit e paketimit të sasive të lëndës narkotike, me qëllim shitjen e mëtejshme të tyre. Për realizimin e këtij aktiviteti të paligjshëm ata rekrutuan si krah pune, persona të gjinisë femërore nga qyteti e rrethinat, të cilat edhe i paguanin për punën që kryenin, duke u mbuluar të gjitha shpenzimet e transportit, e të tjera nevoja. Në sera kishin krjuar edhe fjetore në 81 dyshekë me ajër. Për mbrojtjen e aktivitetit të paligjshëm kishin siguruar dhe armë zjarri, disa prej të cilave u sekuestruan.