FLASH :

Vizitë e papritur në zemër të luftës/ Princi Harry shfaqet në Kiev për të mbështetur ushtarët e plagosur

Princi Harry, Duka i Sussex, ka bërë një vizitë të befasishme në kryeqytetin ukrainas Kiev, konfirmojnë burime për CNN. Udhëtimi i tij erdhi vetëm pak ditë pasi Harry vizitoi Britaninë, ku u takua me të atin, Mbretin Charles III, pas 19 muajsh mungesë komunikimi ballë për ballë.

Sipas The Guardian, e cila udhëtoi me princin në trenin për në Kiev, vizita u realizua me ftesë të qeverisë ukrainase. Gjatë qëndrimit, Harry pritet të shpallë iniciativa të reja të fondacionit të tij Invictus Games, me fokus në rehabilitimin e ushtarëve dhe civilëve të plagosur nga lufta.

Harry, që shërbeu gati një dekadë në ushtrinë britanike, është i angazhuar me kauza humanitare për veteranët. Në vitin 2014 ai themeloi Invictus Games, një kompeticion sportiv ndërkombëtar për ushtarët e plagosur. Ky është udhëtimi i dytë i tij në Ukrainë këtë vit, pas vizitës së papritur në Lviv në prill.

Vetëm dy ditë më parë, zyra e tij njoftoi se fondacioni i princit do të dhurojë 500 mijë dollarë për fëmijët e prekur nga lufta në Gaza dhe Ukrainë. Vizita e Harry-t përforcon mbështetjen e familjes mbretërore britanike ndaj Ukrainës, pas vizitave të mëparshme të Dukeshës së Edinburgut dhe princit William.

Ndërkohë, agresioni rus vazhdon: ushtria ukrainase raportoi gjatë natës një tjetër valë sulmesh me dronë, megjithëse këtë herë jo në kryeqytet.