FLASH :

Në fshatin polak të goditur nga rusët: Më e keqja ende nuk ka ardhur, Putini dëshiron të marrë gjithçka

Duke mbërritur përballë banesës së goditur nga droni rus të mërkurën në mëngjes, pas një udhëtimi 12-orësh drejtpërdrejt nga Ukraina, e shkatërruar nga më shumë se tre vjet e gjysmë bombardime, reagimi spontan është të marrësh frymë thellë, pothuajse një lehtësim. “Vetëm kaq?”, mendon. “Ka kaq shumë zhurmë për një shtëpi fshatare pa çati, pa të vdekur e të plagosur?”.

Dje pasdite vonë, mbetjet e çatisë së shkatërruar dhe rrënojat e shpërndara në oborr ndriçoheshin nga dritat e televizioneve polake dhe ndërkombëtare, që përpiqeshin të intervistonin pak banorët (68 gjithsej) e këtij fshati të vogël bujqësor. Pronarët, një çift pensionistësh të moshuar, ishin në spital për kontrolle. “Janë të tronditur nga emocionet dhe dhimbja”, tregonte një fqinj.

Por janë fjalët e Majen, 62-vjeçare, drejtoreshë e shkollës vendase, ato që i japin kuptim dhe domethënie skenës. “Jam e tmerruar. Lufta e nisur nga Vladimir Putin kundër Ukrainës ka mbërritur edhe tek ne. Dhe nuk do të ndalet, përkundrazi është vetëm fillimi. Këtu jemi në Europë: diktatori rus do t’i marrë të gjitha. Fshatrat tanë në lindje të Polonisë do të kthehen sërish në qendër të betejave të mëdha, njësoj si në të shkuarën. Kuptoni çfarë simbolizon sulmi kundër kësaj shtëpie të vogël në Wyryki? Rusia ka humbur çdo pengesë dhe po na sfidon ne europianët”, thotë ajo duke iu mbushur sytë me lot.
Fytyra e saj është e ngrysur nga shqetësimi. E takojmë teksa po hynte në banesën e saj, që ndodhet rreth njëzet metra larg asaj të goditurës. Tregon dritaret e thyera, copëzat e suvasë përtokë. Ushtarët që nga mëngjesi kishin hequr pjesën më të madhe të mbeturinave, kopshti që çon drejt stallës së vogël prej druri ishte pjesërisht i pastruar. Shtëpitë e tjera përreth ishin të errëta, sikur banorët të kishin vendosur të largoheshin menjëherë. “Jam shumë mirënjohëse për kontingjentet europiane të NATO-s, që ndërhynë për të ndalur dronët rusë krah njësive tona ushtarake. E shoh si diçka shumë të rëndësishme të tregojmë forcë dhe unitet. Sepse ndryshe Putini do të bëjë gjëra edhe më të rënda. Por, e përsëris, më duket sikur jam buzë një vullkani: më e keqja ende nuk ka ardhur”, shton ajo.

Kështu Wyryki bëhet një vend simbolik. Nuk është hera e parë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, që territori polak goditet nga dronët apo raketat ruse. Por dëmet në shtëpinë e dy të moshuarve u shoqëruan për herë të parë nga ndërhyrja e armatosur e aleatëve të NATO-s: sfida me Moskën bëhet e hapur dhe e drejtpërdrejtë.

Dhe ky kërcim cilësor në dinamikën e konfliktit kuptohet lehtësisht gjatë udhëtimit me makinë nga Kievi. Lë pas kryeqytetin ukrainas duke kaluar pranë vendeve të betejave të mars-prill 2022. Duken llogoret dhe telat me gjemba mes pyjeve të Borodjankës, ku rusët përpiqeshin të rrethonin kryeqytetin. Më pas rruga shkon paralelisht me Bjellorusinë, ku sa më shumë afrohesh kufirit, aq më të dukshme janë postet e radarëve dhe bunkerët me artileri. Ndërkohë, kalimi i kufirit me Poloninë është pothuajse i zbrazët; këtu doganierët ukrainas janë kryesisht të shqetësuar për të ndaluar burrat në moshë rekrutimi që përpiqen të arratisen jashtë. Ushtarët megjithatë flasin me dëshirë, nuk është e vështirë të dëgjosh rrëfimet e tyre për luftën ulur në kafenetë përgjatë rrugës.

Gjithçka ndryshon sapo hyn në Poloni. Flamujt e BE-së shënojnë kufirin dhe janë të dukshëm në hyrje të fshatrave. Por ushtarët polakë kanë urdhër të heshtjes absolute, ashtu si edhe përfaqësuesit e NATO-s. Për të arritur në Wyryki kalojmë nga grushti i shtëpive të Wola Uhuruska, këtu batalioni i 149-të logjistik sapo ka ngritur një kamp me karavane për ushtarët që operojnë radarët dhe sistemet e interceptimit kundër raketave dhe dronëve. Gjithçka është e pastër, e rregullt, e vendosur sipas manualit. Shenjat e verdha tregojnë ndalim absolut të fotografimit. “Këtu gazetarët nuk mund të hyjnë”, na shpjegon prerazi një roje. Pak më larg ndodhet vendi i kampit nazist të shfarosjes së Sobiborit: mes majit 1942 dhe tetorit 1943 aty u vranë mes 170.000 dhe 250.000 hebrenj. Kujtimet tragjike të së kaluarës rëndojnë mbi këtë cep të Europës.