FLASH :

Shenjat që tregojnë se jeni pasiv-agresivë

Përballimi i emocioneve të vështira, si zemërimi, trishtimi apo zhgënjimi, nuk është gjithmonë i lehtë. Në marrëdhëniet me të tjerët, këto ndjenja shpesh mund të ngatërrohen, të fshehen ose të keqinterpretohen. Një nga mënyrat më të zakonshme dhe më të dëmshme për t’i shprehur ato është përmes agresionit pasiv.

Çfarë është agresioni pasiv?

Agresioni pasiv përkufizohet si një formë e të shprehurit të zemërimit ose frustrimit në mënyrë indirekte, shpesh përmes sjelljeve si sarkazma, indiferenca, vonesat e qëllimshme apo sabotimi i heshtur. Nuk ka shpërthime verbale apo fizike, por tensioni ndjehet. Shpesh, personi pasiv-agresiv nuk thotë atë që mendon dhe nuk bën atë që thotë.

Për shembull:

Pranon të ndihmojë, por nuk e bën kurrë.

Jep një kompliment, por e shoqëron me një koment cinik.

Hesht kur pyetet për diçka që e shqetëson, duke shpresuar që tjetri ta kuptojë vetë.

Kjo sjellje, megjithëse mund të duket si mënyrë për të shmangur konfliktin, dëmton rëndë komunikimin dhe ndërtimin e besimit në çdo marrëdhënie, qoftë ajo romantike, familjare apo profesionale.

Pse ndodh agresioni pasiv?

Sipas psikoterapistes Andrea Brandt, njerëzit përdorin agresionin pasiv si strategji mbrojtëse për të shmangur konfliktin ose pasojat emocionale që mund të vijnë nga një përballje e drejtpërdrejtë. Disa nga arsyet më të zakonshme për këtë sjellje janë:

1. Frika nga humbja

Njerëzit mund të shmangin të thonë atë që ndiejnë nga frika se do të refuzohen ose do të humbasin lidhjen. Një burrë mund të mos e shprehë xhelozinë ndaj partneres, duke u frikësuar nga gjykimi apo kritika.

2. Frika nga autoriteti

Punonjësit ose fëmijët, për shembull, mund të ndihen të pafuqishëm përballë figurave autoritare dhe zgjedhin heshtjen apo sjelljet pasive në vend të shprehjes së ndjenjave.

3. Mungesa e aftësive për të komunikuar

Njerëz që janë tallur, refuzuar ose ndëshkuar më parë për ndjenjat e tyre, më vonë e kanë të vështirë të komunikojnë.

4. Modelet që ndjekim

Shumë prej nesh e mësojnë këtë sjellje nga familja ose mjedisi ku jemi rritur. Nuk është gjithmonë e qëllimshme, është thjesht mënyra si kemi mësuar të “komunikojmë”.

5. Turpi 

Shoqëria shpesh nuk i pranon emocionet si zemërimi apo trishtimi, veçanërisht te gratë apo fëmijët. Agresioni pasiv është një mënyrë për t’i “nxjerrë” këto ndjenja pa i pranuar hapur.

Shenjat që tregojnë sjellje pasive-agresive

Nëse dyshon se mund të jesh duke shfaqur sjellje pasive-agresive, këto janë disa sinjale të zakonshme:

E shmang konfliktin edhe kur diçka të shqetëson thellë.

E ke të vështirë të shprehësh ndjenjat me fjalë.

Mendon se të tjerët duhet të “kuptojnë vetë” çfarë ndien.

Je sarkastik apo fyes në mënyrë të tërthortë.

Kërkon vazhdimisht aprovim, edhe kur nuk je i sinqertë me veten.

Saboton pa vetëdije suksesin e të tjerëve.

Nuk përfundon atë që ke nisur, për të “ndëshkuar” dikë.

I thua gjërat ndryshe nga çfarë ndien vërtet.

Si të ndalosh sjelljen pasive-agresive?

Agresioni pasiv, në vend që të të mbrojë, saboton vetëzhvillimin dhe ndërton mur mes teje dhe të tjerëve. Hapi i parë është vetëdijësimi, ndalo dhe pyet veten: Çfarë ndiej vërtet? Pse nuk po e shpreh?

Disa hapa konkretë për ta menaxhuar:

Reflekto çdo ditë mbi emocionet e tua. Përdor fjalë specifike si: i frustruar, i pasigurt, i zhgënjyer, i inatosur.

Bëhu i sinqertë, fillimisht me veten, më pas me të tjerët.


Praktiko komunikimin e drejtpërdrejtë, edhe kur është i vështirë.

Kupto se emocioni negativ nuk është gabim, dhe shprehja e tij nuk të bën të keq.

Nëse e ndjen se nuk mund ta përballosh vetë, kërko ndihmë profesionale. Një psikolog mund të të ndihmojë të zbërthesh modelet e sjelljes dhe t’i zëvendësosh me mënyra më të shëndetshme.

Agresioni pasiv është një mënyrë e dëmshme për të përballuar emocionet, dhe shpesh, më shumë i largon njerëzit sesa i afron. Në vend që të shërbejë si mbrojtje, ai krijon izolim dhe keqkuptim. Të mësosh të përballesh me emocionet në mënyrë të hapur është një nga dhuratat më të mëdha që mund t’i bësh vetes dhe marrëdhënieve të tua.