Për dekada me radhë, Hollywood-i imponoi një standard të hekurt: buzëqeshja “perfekte” me dhëmbë të bardhë, të drejtë dhe të përkryer, shpesh rezultat i fasetave dhe stomatologjisë kozmetike. Kjo buzëqeshje dukej sikur simbolizonte suksesin dhe ishte kthyer në një standard që ndiqej gjerësisht edhe nga njerëzit që nuk kishin aspak lidhje me famën.
Sot, kjo tendencë po përmbyset. Ekranet janë gjithnjë e më të mbushura me fytyra që tregojnë dhëmbë natyralë, me papërsosmëri të vogla. Kjo në fakt është një shenjë mjaft e mirë, pasi publiku duket se e preferon origjinalitetit/natyralitetin: e gjen më njerëzore dhe më simpatike sesa buzëqeshja perfekte.
Një nga figurat që udhëheq këtë ndryshim është aktorja britanike Aimee Lou Wood. E njohur fillimisht nga seriali Sex Education dhe së fundmi me rolin në The White Lotus, Wood ka folur hapur për marrëdhënien me buzëqeshjen e saj.
“Gjithmonë ndihesha çuditshëm për dhëmbët e mi, por tani e kuptoj se janë ato që më bëjnë të bie në sy,” tha ajo.
Në një kohë kur presioni për t’u përshtatur është i madh, Wood zgjedh të jetë vetvetja.
“Në një moment mendova t’i drejtoja, por pastaj kuptova se kjo do të më bënte të dukesha si të gjithë të tjerët. Dhe unë nuk dua të dukem si të gjithë të tjerët,” shtoi ajo.
Buzëqeshja e saj është kthyer në simbol të një estetike të re, që vë theksin te personaliteti dhe origjinaliteti, më shumë sesa te përsosmëria.
“Buzëqeshja ime tregon kush jam unë dhe papërsosmëria është pjesë e identitetit tim,” shpjegoi aktorja.
Ky ndryshim nuk është i kufizuar vetëm në ekran. Edhe në kulturën e përditshme të bukurisë, njerëzit po ndihen gjithnjë e më të lehtësuar kur shohin figura publike me dhëmbë të vërtetë, sepse kjo i ndihmon të ndihen më rehat me veten.
Siç thotë edhe vetë Wood:
“Ka forcë në të parin e diçkaje reale. Të bën të ndihesh sikur më në fund përshtatesh me atë që quhet bukuri.”