Çdo lloj i spiunazhit kundrejt Kosovës është i rrezikshëm dhe cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare. Kështu po vlerësojnë njohës të sigurisë në vend. Sipas tyre edhe komunikimi me njerëz të afërt me persona që janë shpallur terroristë nga Kosova paraqesin rrezik për vendin.
Ndërsa, sot gjatë ditës KosovaPress ka raportuar se vjehrri i terroristit Milan Radojiçiq, Seat Rexhepagiq ka pasur raporte të afërta më të dyshuarën për spiunazh Jelena Gjukanoviq
Lidhur me këtë njohësi i sigurisë, Arben Dashevci thotë se çdo person që bashkëpunon me persona që janë shpallur terrorist nga Qeveria e Kosovë rrezikon sigurinë nacionale të vendit.
Eksperti i sigurisë Burim Ramadani thotë se inteligjenca e Serbisë në luftën armiqësore kundër Kosovë në aspektin e spiunazhit vazhdimisht po përdorë komunitetin serb në Kosovë. Ramadani thotë se lufta përmes spiunazhit nuk përfundon shpejt.
Jelena Gjukanoviq, e cila u arrestua nën dyshimin se po bashkëpunonte me BIA-në serbe ishte e punësuar në OSBE. Ajo është arrestuar në shkurt të këtij viti në regjionin e Mitrovicës, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale spiunazhi.
Seanca fillestare ndaj Jelena Gjukanoviq, e cila ngarkohet për spiunazh do të mbahet më 16 shtator.
Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të dyshuar për spiunazh. Bëhet fjalë për një person me iniciale H.S., i cili akuzohet se nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 06.05.2025, ka bashkëpunuar me BIA-n.
Gjatë këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur edhe aktakuza të tjera për spiunazh.